Çështja “Januzaj” futet në fokusin e politikës; dhe banalizohet

Kaloi pa vëmendjen e duhur një letër që zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ia dërgon kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Është një letër që ka për argument çështjen “Januzaj”. Ka një diskutim për këtë çështje, që po bëhet në faqet e shtypit sportiv ndërkombëtar, dhe në studiot e programeve televizive gjithashtu sportive. Dhe çështja ka lidhje me fanelën kombëtare që do të veshë në të ardhshmen Adnan Januzaj, futbollisti i talentuar 18 vjeçar me origjinë shqiptare i skuadrës Manchester United (është një diskutim që e ka provokuar vetë Januzaj, apo të afërmit e tij, me ndërdyshjet që kanë shprehur publikisht). Pikërisht ky është argumenti që ka tërhequr dhe Pacollin.
Nuk ka asgjë të keqe apo të qortueshme në këtë mes. Për aq kohë sa Januzaj e ka lënë të hapur mundësinë për ta veshur uniformën kuqezi, do të ishte mirë të bëhej ç’është e mundur “për t’ia prishur mendjen”. Por … Ka një ‘por’ të madh në këtë mes. Me dy pika. 1. Së pari nuk shkon fare, madje na bën qesharak, tentativa për ta fryrë tej mase këtë çështje (Pacolli i kërkon Ramës që “ta shndërrojnë së bashku Januzajn në një ikonë të kombit që do të shërbente për ringjalljen tonë shpirtërore”, dhe shpreh besimin se “Adnan Januzaj mund ta luajë këtë rol në mënyrë historike”. Të vjen kaptina vërdallë nga këto fraza. Sikur të mos e dijë se përse është fjala, robit s’do t’i shkonte kurrë mendja se fjala është për një djalosh që luan futboll). 2. Së dyti do ish mirë që lëvizjet të bëheshin në kufijtë e cipës dhe të lezetit. E them këtë, ngaqë me letrën e shkruar për Ramën, Pacolli duket sikur i kalon këta kufij. Edhe mund të gëlltitet, sidoqë folklorik, ndonjë propozim i tij, siç është ai i caktimit të një delegacioni mbarëkombëtar [për të bërë një vizitë] te familjarët e Adnanit në Angli në mënyrë që ta bindin këtë të fundit, por zgjidhja deus ex machina në fund të kap në befasi. “T’i bëhet dhuratë familjes së tij një hapësirë toke në Jug për investim”, thotë ai.
Çfarë banalizimi i çështjes! Apo më duket vetëm mua kështu?
Add new comment