Një vend normal nuk e shet sigurinë e vet

Postuar në 19 Nëntor, 2013 02:05

Protestuesit ia arritën qëllimit, e bënë kryeministrin Rama t’i thosh ‘jo’ sugjerimit për të asgjësuar armët kimike siriane në territorin shqiptar, por tani janë bërë të gjallë të tjerët. Personazhe e autorë të ndryshëm të shtypit të përditshëm, madje dhe organe të këtij shtypi, ku në mënyrë të nënkuptuar e ku në mënyrë të troçtë, janë duke përcjellë mesazhin, se Shqipëria humbi një shans të madh në këtë mes.

Vetëm ndonjëri syresh s’e ka patur për gjë ta shprehë në kohën e duhur këtë ide; të tjerët janë si kofini pas të vjelit. Nëse e kanë menduar vërtet kështu, është gjynah (për ata vetë) që nuk janë shprehur. Me fjalën e tyre mund t’i kishin dhënë jetë e lëndë një debati, që i bërë para tri a katër ditësh do të kish kuptim; ndërsa i bërë sot s’ka asnjë kuptim, pasi “delegatët ikën”. Kam përshtypjen, megjithatë, se prej tyre nuk po thuhet ndonjë gjë e re. Duket se është thjesht një paranojë. Ka gjithmonë konsiderata paranojake e konspirative pas një ngjarje të madhe.

“Do të kishim fituar një mal me pará”, thuhet plot dëshpërim prej atyre që besojnë versionin, sipas të cilit në këmbim të ok-it për asgjësimin e armëve kimike në Mjekës apo Bisht-Pallë shqiptarët do të merrnin disa miliardë dollarë. Do vinim jetët tona në rrezik, thuhet duke pranuar një taksë rreziku në këtë mes (personalisht s’kam ide lidhur me këtë gjë), por me këto pará do dilnim nga kriza, ku jemi zhytur. Dy miliardë, thonë disa. Tre, disa të tjerë. Katër, të tjerë akoma, që në këtë rast, për t’u bërë më bindës, e kanë të hazërtë formulimin alternativ të shumës: është sa 1/3 e GDP-së së vendit. Është e vërtetë? Apo është një sendërgji, e aq? Sipas meje është kjo e dyta. Por edhe sikur të mos ish kështu, edhe sikur të ish e vërtetë se na janë janë ofruar shuma të mëdha parash, nuk duket inteligjente të japësh sigurinë tënde (gjithmonë, në rrethanat që pranohet se procesi i asgjësimit të armëve kimike bart një rrezik) në këmbim të parave. Sigurisht, do të ishte një mundësi e mirë për të bërë biznes. Dhe ka kombe që bëjnë biznese të tilla. Por i bëjnë nga halli. Një vend normal mund të shesë shumëçka, por jo sigurinë e tij. Kjo e fundit nuk shitet. Nuk ka çmim.

Dita

Comments

Submitted by Epiroti (not verified) on

<p>Muci, te gjithe keta qe lehin tashti per kete &#39;&#39;gjynah&#39;&#39; jane mjeranet qe shoqeria shqiptare i ka per gjoja analiste por nuk jane gje tjeter vecse dudumet e dumbabes Arvizu.</p>

Submitted by Bard (not verified) on

<p>&nbsp;</p><p>&quot;Një vend normal mund të shesë shumëçka, por jo sigurinë e tij.&quot;-Do te doja te dija nga Nano perkufizimin e nje vendi normal. A e perfshin ky perkufizim atdheun tone te shumedashur?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.