Një intervistë që meriton të futet në manualet e gazetarisë

Postuar në 06 Shkurt, 2014 06:35

Ka bërë bujë një intervistë e Barack Obama-s dhënë gazetarit Bill O’Reilly, i cili moderon programin ‘The O’Reilly Factor’ në Fox News, që njihet si një televizion konservator, për rrjedhojë anti Obama. Bill O’Reilly është një opinionist i njohur dhe autor librash, por njihet më shumë për zellin e tonin polemik të shkrimeve e qëndrimeve të veta. Ai është anti Obama, gjithashtu. E në këto rrethana merrej me mend që intervista në fjalë, e planifikuar të transmetohej në pauzat televizive të superbowl-it (finalja e futbollit amerikan, që ndiqet tradicionalisht nga afro 100 milionë amerikanë), do të ishte një bisedë e vështirë, me batuta, me ndërprerje, me pickime, etj. Dhe ashtu ndodhi. Mes të dyve pati shumë tension e animozitet. Bill O’Reilly nuk ishte thjesht një intervistues të dielën në mbrëmje. Ai ishte një bashkëbisedues, dhe i dha karar punës të merrte pothuaj gjysmën e kohës. Ai e ndërpreu mbi 40 herë Obama-n, dhe nyjëtoi 1000 nga 2500 fjalë të asaj bisede 10 minutëshe.

Bill O’Reilly-n e qortuan më pas për mënyrën se si e kish organizuar intervistën (Reporterja Dana Milbank e së përditshmes ‘Washington Post’, që tradicionalisht anon lehtshëm nga republikanët, bënte ironi me moderatorin dhe thosh se “ish Obama që e ndërpriste herë pas here”), dhe për tonet nervoze që i dha bisedës. Por duhet thënë se kjo është një nga ato intervista që i mungojnë gazetarisë së sotme që është bërë gjithnjë e më shumë lajkatare e qurravitëse. Bill O’Reilly është njeri, me të cilën personalisht nuk kam shumë gjëra për të ndarë (ai është shumë konservator), por nervi gazetaresk i tij është për t’u lëvduar e për t’u marrë shembull. Sikur të varej nga unë, intervistën e tij me Obama-n do ta përfshija në manualet e gazetarisë e do të bëja që të studjohej nëpër shkolla. Ishte një intervistë e ngjeshur dhe e thukët në pikëpamje stilistike, e fokusuar tek çështje e argumenta, që kanë të bëjnë me shqetësime reale të kombit amerikan (biseda erdhi rrotull reformës shëndetësore, sulmit terrorist në Benghazi, dhe punës në IRS, që është një si polici fiskale në SHBA), dhe gazetari gjatë gjithë kohës pretendonte të merrte përgjigje nga i ftuari. Fakti që kjo këmbëngulje për të marrë përgjigje demonstrohej përballë njeriut më të fuqishëm të botës nuk e nxjerr në dritë O’Reilly-n si mistrec. Përkundrazi, e nxjerr në dritë si një gazetar serioz. Është pikërisht kjo që duhet të bëjë gazetari.

Por në këtë mes të bënte përshtypje dhe sjellja e Presidentit Barack Obama, së pari për faktin që pranoi të intervistohej nga O’Reilly (është hera e tretë që i thotë ‘po’ këtij gazetari kundërshtar), dhe së dyti që nuk e humbi asnjëherë qetësinë gjatë kësaj interviste që, sidoqoftë, nuk mund të mos mbyllej ashtu si u mbyll:

-O’Really: Mr. President, thanks very much.  

-Obama: I enjoyed it.

 

Dita

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.