“Shpikja” e fundit e një Italie në krizë

Postuar në 19 Shkurt, 2014 09:55

Matteo Renzi nuk priti që të bëhej kryeministër me votat e italianëve; nuk priti pra të merrte një mandat popullor, dhe me ndihmën e këtij mandati e duke pasur një grup parlamentar të tijin të bënte një numër reformash shumë të nevojshme për Italinë e sotme. Ai parapëlqeu një rrugë tjetër. Me të fituar garën për kreun e partisë së tij (PD), vuri nën presion kryeministrin e së njëjtës parti, Enrico Letta-n, që ish në krye të një qeverisë të bërë tok me një fraksion të qendrës ë djathtë, që deri ca javë më parë ishte pjesë e partisë së Berlusconi-t. E vuri nën presion Letta-n duke i thënë: Ke mbështetjen time pa afat, nëse do të bësh reforma. Por ndërkohë, të gjithë e dinin që edhe Letta nuk i kish duart të lira e nuk i kish këllqet të forta për të bërë reformat që kërkohen, edhe Renzin nuk do ta mbante vendi duke bërë sehir. Dhe në fund, i kapi në befasi të gjithë. Dhe letta-n, të cilit i tha: Koha mbaroi.

Pse e bëri këtë Renzi? Kjo pyetje po merr përgjigje të ndryshme. Ka që thonë se Renzi e ka tahmanë e madhe dhe durimin e paktë, se ai nuk mund të rrinte gjatë pa marrë në dorë timonin. Ka të tjerë që thonë se ai ka bërë gjënë e duhur, se i ka marrë vetë përgjegjësitë, se reformat që ka në mendje, si reformat kushtetuese, ndryshimi i ligjit elektoral, reformat në fushën fiskale e në atë të krijimit të vendeve të punës, etj, duan një njeri me mandat e autoritet politik më të madh (Renzi i ka këto të fundit qoftë për shkak të fitores së zgjedhjeve brenda partisë së vet, qoftë për shkak të besimit që ka provokuar me entusiazmin dhe me stilin e ri të të bërit politikë), dhe se kjo është kurajo e madhe prej udhëheqësi të lindur. Ka të tjerë akoma, që i bëjnë një interpretim dramatik situatës politike në Itali, e cila ka rënë në dorë të njerëzve si Berlusconi (i korruptuar), Grillo (i papërgjegjshëm) e Renzi (një leader i improvizuar rrethanash), që të tre jashtë parlamentit. Ndërsa në Europë janë edhe më të pasigurtë lidhur me këtë novitet italian, që është fanepsur në këtë moment krize. Dhe të gjithëve nuk u mbetet tjetër, veçse të shpresojnë tek ky 39 vjeçar që – kjo gjë duket – është ndryshe nga të tjerët.

 

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.