Do të “kinez-ohet” Hong Kongu, vallë?

Postuar në 30 Shtator, 2014 06:42

Nuk u duhet besuar kurrë premtimeve e pozave prej demokratësh të krerëve të një regjimi jo demokratik, dmth të atyre që udhëheqin kombin e tyre pa pasur një mandat popullor për ta bërë këtë. Nuk u duhet besuar, ngaqë premtime të tilla, po të përmbusheshin, do të ishin një minë e vënë në themelet e pushtetit të tyre.

Kina e këtyre ditëve është një ilustrim i kësaj që sapo thashë. Ata premtuan në vitin 1997, kur morën “në dorëzim” Hong Kongun që kish 150 vjet që qeverisej nga britanikët, se do të ishin “një atdhe, dy sisteme”; do të ishin të tillë për të paktën 50 vitet e ardhshëm, deri në vitin 2047. Dhe me këtë lanë të kuptohej se në Hong Kong do të funksionin normat e shtetit të së drejtës, do të kish një system gjyqësor të pavarur, do të respektohehsin liritë civile, do të mbaheshin zgjedhje të lira, dhe do të mbaheshin në jetë principe të ekonomisë së tregut (të cilat, në fakt, kanë zënë prej kohësh të aplikohen, s’ka gjë se” në mënyrë të centralizuar”, edhe në vetë Kinën), etj, etj.

Mirëpo, regjimet janë si akrepat që, po nuk thumbuan, nuk janë më akrepa. Me këtë logjikë, regjimet, nëse nuk marrin nën kontroll gjithçka e nëse nuk përdorin forcën kundër popullit të vet, nuk janë më regjime. Këtë po bën Kina sot. E ka harruar shumë shpejt premtimin e bërë. Dhe ka dashur t’u tregojë hong-kong-save se duhet ta harrojnë kohën e zgjedhjeve të lira. Në diskutimin për zgjedhjen e guvernatorit të ri, autoritetet kineze demonstruan se nuk janë të gatshëm të pranojnë kandidatë me kredenciale “të dyshimta”. Dhe kjo ka bërë që banorët e Hong Kongut, të trajnuar për të jetuar në një regjim demokratik e legal, të dalin në rrugë. Gjasat janë që të dalin të humbur nga kjo betejë (nëse autokrati i Pekinit Ksi Jinping do të ushtrojë dhunë), por ky i fundit, tok me të vetët, duken shumë të shqetësuar prej mënyrës se si po rrjedhin ngjarjet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.