Vrasës Vajzash

Postuar në 16 Mars, 2013 07:56

 

Një herë në vit, më 8 Mars, meshkujt shqiptarë shkëlqejnë me hipokrizi dhe e kanë gojën plot “nënë”, “motër”, “vajzë” e “grua”. Në 364 ditët e tjera bota shqiptare është egërsisht mashkullore. Për ta ruajtur këtë botë madje mbyten edhe foshnja në bark të nënës – nëse qëllojnë vajza. Kjo barbari e përhapur në Shqipëri, Kosovë dhe gjetiu në viset shqiptare po bën jehonë edhe në mediet gjermane

 

A ka paragjykime ndaj shqiptarëve në Evropë?
Po, pa fund.
Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë një gazetar i radios publike gjermane e niste kronikën e tij duke e quajtur Shqipërinë “vend të klaneve dhe gjakmarrjes”. Thua se nuk ka klane edhe gjetiu, për shembull klanet bankare në Evropë e Amerikë, të cilat plaçkitin pasurinë e qytetarëve dhe - në fund - bankat shpëtohen nga falimentimi me para të taksapaguesve.
Edhe gjakmarrja, sado të jetë traditë e neveritshme, nuk ka licencë vetëm shqiptare. Ky fenomen është i pranishëm ose ka qenë i pranishëm deri së voni edhe në Italinë Jugore, në Amerikën Latine dhe gjetiu. Romanin “Prilli i thyer” të Ismail Kadaresë, në të cilin trajtohet gjakmarrja, e ka xhiruar si film një regjisor brazilian. Instinkti i marrjes hak është i ngulitur thellë te çdo njeri, por falë civilizimit gradual shoqëritë e përparuara hakmarrjen ia kanë deleguar drejtësisë. Është drejtësia ajo që i jep leksion kriminelit. Në vendet ku ka drejtësi.
Kaq sa u përket paragjykimeve.
Në të njëjtën kronikë të radios gjermane, ndërkaq, vihej gishti në një plagë të hapur shqiptare: mungesën e gatishmërisë për t’u ballafaquar me të kaluarën komuniste. “Ne këtu nuk kemi kulturë të kujtesës. Ende nuk i kemi dënuar përgjegjësit e diktaturës komuniste, bile as moralisht. Neve ish-të burgosurve në të vërtetë pas rënies së diktaturës na janë dhënë disa mundësi për arsimim dhe punësim. Por, shefat tanë të sotëm ende janë njerëz të nomenklaturës së vjetër. Tani jemi më mirë se përpara. Por, edhe torturuesit tanë i kanë punët më mirë. Armiqtë e dikurshëm të pronës private sot janë ndër njerëzit më të pasur të Shqipërisë. Kush ka humbur shumë atëherë (në kohën e komunizmit, v.j.), edhe sot ka pak ose s’ka asgjë”. Këto fjalë i thotë shkrimtari Visar Zhiti në mikrofonin e gazetarit gjerman. Këto fjalë duhet lënë të qëndrojnë kështu siç janë, të palëkundshme.
Nuk është, ndërkaq, paragjykim perëndimor se shqiptarët në Ballkan harxhojnë shumë llafe për tema të pavlefshme, por s’janë në gjendje të ballafaqohen me të kaluarën e tyre në mënyrë kritike. Kasapët e djeshëm janë sundimtarët e sotëm.

“Shpresoj se do të ndryshojmë”
Këto janë vetëm disa nga plagët e së kaluarës shqiptare, të cilat na i përkujtojnë të tjerët.
Javëve të fundit në mediet gjermane janë shtuar raportimet për një plagë dhe fenomen tjetër të trishtueshëm: abortimin e foshnjave në Shqipëri menjëherë pasi babai kupton se gruaja do të lindë vajzë! Nuk ka shifra të sakta, por disa qindra, ndoshta edhe mijëra abortime brenda vitit në Shqipëri (dhe gjetiu në trevat e banuara me shqiptarë) bëhen vetëm për shkak se foshnjat kanë “gjininë e gabuar”, pra janë vajza. Një herë në vit, më 8 Mars, meshkujt shqiptarë shkëlqejnë me hipokrizi dhe e kanë gojën plotë “nënë”, “motër”, “vajzë” e “grua”! Në 364 ditët e tjera bota shqiptare është egërsisht mashkullore. Për ta ruajtur këtë botë madje mbyten, siç u tha, edhe foshnja në bark të nënës. Raportimet e fundit e kanë detyruar Bashkimin Evropian të bëjë presion ndaj Qeverisë së Tiranës që të jetë më aktive në emancipimin shoqëror, me fjalë të tjera: të jetë më aktive në emancipimin e egërsirave të quajtura burra, të cilët u bëjnë presion partnereve apo grave të tyre për të abortuar. Duhet thënë: në Shqipëri dhe në trevat shqiptare në Ballkan diskriminimi i femrës fillon në bark të nënës.
Në fillim të shkurtit për “mbytjen e vajzave” në Shqipëri raportoi radioja gjermane. Drejtoresha e një materniteti në Tiranë, Rubena Moisiu, shpjegonte se gjatë çdo kontrolli të shtatzënave pyetja e parë e prindërve është mbi gjininë, jo mbi shëndetin e foshnjës apo ndonjë komplikim të mundshëm. Qeveria, thotë Moisiu, e neglizhon problemin. Në Shqipëri raporti i lindjeve është 116 djem me 100 vajza. Raporti normal është 105 me 100. Nëse vazhdon kjo tendencë, atëherë në Shqipëri (dhe me siguri edhe në trevat e tjera të banuara nga shqiptarët) do të rritet edhe më shumë numri i meshkujve. Sa më pak femra, aq më shumë keqpërdorim i atyre që ekzistojnë. Sa më pak femra, aq më shumë shfrytëzim i tyre dhe prostitucion! Mjekia Moisiu apelon që shteti (ai shtet që gati nuk ekziston dhe kryesisht është peng i politikanëve të papërgjegjshëm dhe mafiozë) të kontrollojë klinikat private, ku zakonisht kryhen abortimet për shkak të “gjinisë së gabuar”. Derisa Visar Zhiti thotë se “ne nuk kemi kulturë të kujtesës...”, gjinekologia Moisiu ruan pak optimizëm: “Shpresoj se do të ndryshojmë, që të na pranojë Evropa”.

Dëshira e Pranverës
Për 8 Mars 2013, në ditën ndërkombëtare të gruas, temën e aborteve në Shqipëri e kishte rrokur televizioni gjerman ZDF (kanali i dytë i televizionit publik). Në emisionin shumë të shikuar informativ “heute journal” (zhurnali i ditës) raportohej për një traditë të tmerrshme, një traditë përbuzëse ndaj njeriut, një traditë këtu afër, “në Evropën tonë”, në Shqipëri, siç thoshte moderatori në paralajmërim të kronikës.
Kronika fillonte me Pranverën, një grua e hareshme, shtatzënë në muajin e gjashtë, e cila thoshte se nuk ka rëndësi a është fëmija “vajzë apo djalë” – ndonëse “në fakt dua një djalë, sepse burri im do djalë...”.
Pastaj ekipi i televizionit ZDF vazhdon udhëtimin drejt Mirditës, atje ku duket se është ndalur koha. Këndej vajzat nuk vlejnë aq. Maria Magjoka, zonjë shtëpie, thotë se ka pasur “tri dishtime” (tri aborte), por pastaj “zoti ma dërgoi këtë djalë”, Altinin, i cili trajtohet ndryshe nga motrat e tij, nuk detyrohet të punojë aq sa punojnë motrat dhe është i privilegjuar edhe në tryezën e ushqimeve.
Maria Magjoka tregon: “Burri më tha: ose më bëj një djalë, ose të përzë...”. Dhe Zoti “ia dërgoi” një djalë Marie Magjokës, e cila i përket pakicës katolike në Shqipëri, ku, sipas fesë, aborti është i ndaluar, por në Mirditë përparësi ka tradita shqiptare dhe jo apelet e Vatikanit. Familja Magjoka jeton nën një kulm me një lopë dhe me një dhi. Nënë Maria thotë: “Vajzat martohen...”. Domethënë: largohen nga shtëpia, nuk kanë vlerë, sipas saj. Djali, ndërkaq, mbetet në shtëpi.

Imazhi dhe gjumi
Ç’të thuhet pas gjithë këtyre raportimeve në mediet gjermane?
Së pari: imazhi i Shqipërisë në Evropën Perëndimore vazhdon të jetë i keq.
Së dyti: ky imazh përfshin edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë për shkak se “jemi një” sa i përket barbarisë dhe primitivizmave.
Së treti: ky imazh zor se do të ndryshojë me politikanë që prioritet e kanë mbajtjen e pushtetit me çdo mjet dhe jo punën e përditshme për emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë.
Numërimi mund të shkojë deri në pafundësi.
Është koha që shqiptarët e zgjuar të zgjohen nga gjumi.
Atëherë sundimtarët e vendit nuk do të kenë mundësi të flasin për “një mijë qengja”, të cilët do të theren për 100-vjetorin e Pavarësisë, as nuk do të përgatiten torta të mëdha – “550 metra katrorë”, pra më të gjera se krahët e avionit “Boeing 747”.
Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.