I Lirë në Burg - i Burgosur në Parti

Postuar në 22 Tetor, 2025 16:17
Skerdilajd Zaimi

 

Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë hyn ndër të paktët ish-zyrtarë të qeverisë socialiste që ka ditur të sillet me statusin e tij si i akuzuar penalisht dhe i pandehur. Zoti Beqaj është parë të hyjë e të dalë me dosje në dorë nga zyrat e organeve hetimore, ka publikuar elementë të mbrojtjes së tij, ka kërkuar dosjet, u paraqit me pranga në duar pa shumë temena në Parlament dhe tani shkruan.

Zoti Beqaj shkruan dhe evidenton pretendimet e tij për sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri. Në një opinion të sotmin, ai merr një aspekt të deklaratës së Sokol Sadushit, kryetar i Gjykatës së Lartë sipas të cilit:

Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë 

Beqaj e analizon me të drejtë këtë pozitivizëm relativ të Sadushit që merr pozat e filozofit të së drejtës në një vend ku nuk funksionon asgjë. 

Jemi vendi që kemi më shumë të paraburgosur se të burgosur. Pse nuk dalin vendime unifikuese dhe/ose njësuese të Gjykatës së Lartë që t’i presin hovin një herë e mirë oreksit të prokurorëve për masa sigurie “arrest në burg” vend e pa vend? Drejtësia o është e drejtë, o është e padrejtë. “Më e drejtë” apo “më shumë e drejtë” nuk mund të jetë, sepse kufirin midis “më e drejtë” dhe “më pak e drejtë” nuk e cakton askush.

I nderuar zoti Sadushi,

Sa më sipër nuk është polemikë, por mospajtim me relativizimin e drejtësisë dhe shqetësim që më vjen nga përvoja dhe nga përditshmëria e përballjes prej muajsh me padrejtësitë e drejtësisë

Më saktë vështirë se bëhet. Në aspektin logjik dhe etik. Si politikan, Ilir Beqaj përfaqëson rastin paradoksal të rehabilitimit intelektual në burg. Pse? Sepse nëse do kujtojmë gjuhën, daljet dhe arsyetimet e z. Beqaj kur ishte në radhët e PS-së, vështirë se do ta pajtojmë me lirinë e shprehjes që kemi më sipër. Patjetër që z. Beqaj po përpqiet të bëjë oponencë ndaj një fryme represive në drejtësi me mjetet që ka në dispozicion; Fjalën!

Nga kjo situatë ne kemi rastin të kuptojmë shkallën e shpërfytyrimit që pëson njeriu në korridoret e partisë së Edi Ramës, mbylljen e gojës, vetëcensurën, nënshtrimin ndaj një sintakse politike, kujdesin për të mos u evidentuar se di më shumë se kryetari, apo të lësh të kuptohet se ai në shumicën e rasteve nuk e di se çfarë thotë. I burgosuri Ilir Beqaj është befas një njeri normal, që flet, arsyeton, polemizon dhe vëzhgon jetën politike të vendit me mendjen dhe shqipen e vet.

Kjo liri e fituar në burg, të bën të mendosh se z. Beqaj është ndër të paktët që e ka merituar Burgun pikërisht për këtë arsye fisnike. Ai ka dalë nga burgu i partisë për të shijuar lirinë e shprehjes, në funksion të zgjidhjes së duarve nga prangat.

Në anën tjetër, kemi një dukuri shumë të rëndësishme që po ngjizet brenda radhëve të socialistëve të vënë në përballje me hetimin penal. Akuza e vjetër se sistemi i drejtësisë u reformua nga modeli i krijuar nga pushteti i Sali Berishës. Përplasja e sotme është me drejtësinë e krijuar nga reforma e vitit 2016, duke zhveshur përfundimisht çdo socialist se drejtësia mungon për shkak të Berishës. Kjo është drejtësia e re, e shokëve të partisë nëse duam, që ushtrohet sot edhe mbi njerëz si z. Beqaj që në fakt, ka të drejtë të shprehet ndonëse rrëfimi i tij do vihet përherë në dyshim të thellë. Mjafton të shohësh se çfarë trajtimi i bën lirisë personale një njeri në atë parti, për ta kuptuar se çfarë i bën detyrës publike. Ndaj z. Beqaj: Rri në burg që të flasësh!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.