Presidenti Topi: Topalli nuk përfaqëson kurrë Shkodrën qytetare

Postuar në 16 Tetor, 2011 10:35

Një ditë pasi sulmoi kryeparlamentaren Jozefina Topalli se nuk di te flase shqip, Kreu i shtetit Bamir Topi iu është përgjigjur sot informacioneve që e akuzonin se kishte fyer qytetarinë shkodrane me deklaratën e bërë. 
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Presidenca sot thekson se asnjë fjalë e Presidenti të Republikës nuk ka qenë kritikë ndaj shkodranëve dhe traditave të tyre qytetare. 

“Presidenti z. Bamir Topi është njohur përmes burimeve zyrtare me disa deklarata e nisma të njëanshme, të pasakta dhe denigruese të ndërmarrë ndaj tij dhe institucionit që përfaqëson nga individë apo grupe të caktuara partiake lidhur me vizitën e suksesshme në Shkodër. Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj”. 
Sic theksohet më tej, mesazhi kritik kishte adresë vetëm një person, (që nënkuptohet se është kryeparlamentarja Jozefina Topalli), që sipas Presidentit po shfrytëzon postin dhe votën e shkodranëve me qëndrime joinstitucionale. Presidenti thekson se 
grupe të izoluara me interesa partiake mbështesin këtë zyrtare dhe sjellin informacione jokorrekte për publikun. 

“Mesazhi kritik i Presidentit, sic mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës. Cdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të vecantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike. Për këdo sot është e qartë se ky ose këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën as traditat e saj të cmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifike pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qyterarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përvec grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike”, citon njoftimi për shtyp duke ritheksuar se Presidenti i Republikës shpreh vlerësimin e tij më të lartë për Shkodrën dhe gjithcka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. 

(d.b/BalkanWeb)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.