Tiranë, grabitja në argjendari, 40 të shoqëruar

Policia vazhdon hetimet për identifikimin e autorit të vrasjes së pronarit të argjendarisë, të ndodhur dje pasdite në në rrugën "Ferid Xhajko".
Burime nga policia e Tiranës, të cilave u referohet NEWS24 deklaron se deri tani janë të shoqëruar rreth 40 persona. Burimet sqarojnë se të shoqëruarit nuk kane lidhje direkte me ngjarjen, prova apo dëshmi, por i përkasin kryesisht një kontigjenti kriminal në vjedhje apo grabitje të ndryshme. Një pjese e të shoqëruarve vazhdojnë të jenë ende në polici.
Një person i armatosur dhe i maskuar hyri dje pasdite në brendësi të një argjendarie dhe nën kërcënimin e armës kërkoi paratë dhe një sasi të konsiderueshme bizhuterish. Kërkesa e tij hasi në kundërshtimin e pronarit Rapo Sinanaj, 61 vjeç. Gjatë konfliktit fizik mes tyre Sinanaj kishte arritur t'i hiqte kapuçin grabitësit dhe ta shohë. Menjëherë grabitësi ka qëlluar 3 herë në drejtim të 61-vjeçarit duke i shkaktuar vdekjen.
"Gazeta Shqiptare", shkruan sot, duke iu referuar burimeve konfidenciale të policisë, se rezulton të jetë një dëshmitar okular, i cili ka parë të gjithë skenën e vrasjes. Dëshmitari është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ndërkohë që kamera e sigurisë ka qenë jashtë funksionit dhe nuk ka filmuar asnjë moment të ngjarjes.
Mendohet se grabitësi mund të ketë qenë i vetëm kur ka hyrë në argjendari. Pasi ka kryer krimin është larguar në drejtim të Stacionit të Trenit ku më pas ka humbur dhe gjurmët. Ende nuk dihet nëse vrasësi ka arritur të grabisë bizhuteri, apo është larguar menjëherë pas vrasjes së 61-vjeçarit Rapo Sinanaj.
Balkanweb.com
Add new comment