Serbët e veriut e Tadiç s’merren vesh, barrikadat mbesin

Postuar në 24 Tetor, 2011 04:15

Barrikadat do të mbesin edhe më tutje në veri. Takimi i përfaqësuesve të komunave paralele të veriut të Kosovës me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, mbrëmjen e së dielës nuk ka nxjerrë përfundime që ato të hiqen.
Slavisha Ristiq, i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Zubin- Potokut, pas takimit prej katër orësh e gjysmë me të parin e shtetit serb, ka thënë se asgjë e rëndësishme nuk ka ndryshuar pas bisedave me Tadiqin dhe se barrikadat mbesin.
“Nuk mund të themi se pas takimit të sotëm jemi shumë afër zgjidhjes”, ka thënë ai.
Ristiq ka treguar se Tadiqi ka insistuar që t’u mundësohet EULEX-it dhe KFOR-it kalimi në veri, me kusht që të mos i transportojë doganierët kosovarë, porse kusht i përfaqësuesve të katër komunave paralele të veriut të Kosovës ka qenë që EULEX-i të mos i instalojë doganierët, të mos vendosë institucione të tjera në veri të Kosovës dhe të mos veprojë në pajtim me planin e Marti Ahtisaarit.  "Tadiqi ka kërkuar nga ne që t’u mundësohet lëvizja EULEX-it dhe KFOR-it, por për ne është e papranueshme që EULEX-i të transportojë doganierët kosovarë dhe të zbatojë Planin e Ahtisarrit. Për këtë kërkesë të Tadiqit duhet ta pyesim popullin”, ka thënë ai.
Në një kumtesë të zyrës për media të kryetarit të Serbisë, të lëshuar pas takimit, është thënë se Tadiqi u ka thënë përfaqësuesve serbë të veriut se “furnizimi i KFOR-it dhe lëvizja e KFOR-it është një detyrim në bazë të marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, e që shteti ynë e ka pranuar, por edhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Lëvizja e EULEX-it është mundësuar në bazë të planit të gjashtë pikave të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e që e ka miratuar Këshilli i Sigurimit”.
Tadiqi e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë që sa më parë të rifillojë dialogu Beograd-Prishtinë, nën ombrellën e BE-së, sepse, sipas tij, ai është i domosdoshëm për funksionimin e jetës në Kosovë. Ai ka përsëritur se në suaza të dialogut është arritur marrëveshja për vulat doganore, porse nuk ka qenë fjala për regjimin e funksionimit të vendkalimeve Bërnjak dhe Jarinjë, thuhet në kumtesën për media të kryetarit të Serbisë.
Në takim kanë marrë pjesë pos Ristiqit edhe kryetarët e tjerë të komunave të veriut të Kosovës që janë nën kontrollin e Serbisë, të Mitrovicës, Leposaviqit, dhe Zveçanit, Kërstimir Pantiq, Branko Niniq dhe Dragisha Miloviq, po ashtu edhe Radenko Nedeljkoviq, shef i rrethit të Mitrovicës. Në takim përveç presidentit kanë marrë pjesë edhe Borislav Stefanoviq, shef i grupit negociator dhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq.
Idetë e presidentit serb për zgjidhjen e problemit qenë bërë të ditura më herët përmes një letre. Ai në një njoftim të dërguar për media ka vlerësuar se KFOR-i dhe EULEX-i duhet të sigurojnë paqe dhe stabilitet dhe të mos zbatojnë dhunën dhe të mos jenë të njëanshëm. “Çdo hap i dhunshëm në drejtim të heqjes së barrikadave dërgon drejt thellimit të krizës dhe largimit të arritjes së ndonjë marrëveshjeje për Kosovën dhe Metohinë. I ftoj qytetarët që të jenë të përmbajtur nga të gjitha aktet e dhunës dhe reagimet e mundshme e provokimet që mund të arsyetonin përdorimin e dhunës ndaj tyre”, ka thënë Tadiq. “Serbët e veriut dhe liderët e tyre duhet të jenë të orientuar nga zgjidhjet e mundshme dhe të qëndrueshme”, ka shtuar ai.

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.