Veriu, turpi i Evropës

Në mes të Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në veri të vendit nuk ka konflikt, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshmen “Neue Zürcher Zeitung”. Thaçi ka thënë se ata janë gjithashtu qytetarë të Kosovës, kurse ai është në shërbim tyre.
Problemi, sipas kryeministrit Thaçi, qëndron në faktin se 200 deri në 300 persona të veriut kanë bërë shumë para me kontrabandë, kriminalitet dhe krim të organizuar. “Ne kemi vënë mjete në dispozicion për të mundësuar investime në veri, siç janë shkollat, spitalet, rrugët, urat. Me këtë duam që ata qytetarë të integrohen, të krijojmë vende pune dhe të mundësojmë jetë sociale”, ka thënë ai.
Veriu i Kosovës, siç është shprehur Thaçi, nuk është vetëm turp për Kosovën por për tërë Evropën. “Atje nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje të lira, demokraci ose shtet ligjor”, ka theksuar Thaçi.
I pyetur ndërkaq, se çfarë mendon për propozimet e kohëve të fundit se zgjidhja për çështjen e veriut të Kosovës, do të mund të ishte një shkëmbim territoresh, bashkimi i veriut të Kosovës me Serbinë dhe i regjioneve të dominuar nga shqiptarët në jug të Serbisë me Kosovën, Thaçi ka thënë: . “Nuk do të ndodhë asnjëherë ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve”. Po ashtu, sipas tij, nuk do të ketë status special apo autonomi.
“Ekziston vetëm një shtet i pavarur - Kosova në kufijtë e tashëm. Në të vërtetë Serbia, me vite të tëra po i manipulon serbët e veriut të Kosovës me idenë e kufijve të ri. Por në atë rast do të mendohej edhe për ndryshime kufijsh në gjashtë shtete të regjionit, ku ka fenomene të ngjashme si në Mitrovicë”, ka porositur Thaçi. /Zëri/
Add new comment