VV vendos flamurin kombëtar në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës

Postuar në 28 Nëntor, 2011 04:20

 

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë nisur festimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë me një aksion simbolik, duke e vendos një flamur kombëtar të përmasave të mëdha, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i kësaj lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca tha me këtë rast se ky aksion simbolik po bëhet ashtu siç i ka hije institucioneve të vendit tonë, duke e quajtura atë flamur “flamuri i Adem Jasharit”, edhe pse sipas tij, qeveria moti ka hequr dorë prej tij.

“Ne jemi këtu sot para Kuvendit të Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e vendosi në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç i ka hije institucioneve tona flamurin e Adem Jasharit, përkundër qeverisë, e cila ka hequr moti dorë nga flamuri i Adem Jasharit dhe na e ka sjellë flamurin e Ahtisaarit dhe nëpërmjet kësaj mënyre, ne ua urojmë të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë Ditën e madhe të Flamurit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëpërmjet këtij aksioni ata solidarizohen me shqiptarët e Luginës, të cilët, siç tha ai, po e festojnë Ditën e Flamurit me flamurin kuq e zi, përderisa për Qeverinë e Kosovës ka thënë se e ka vetëm një fushatë, atë të negociatave dhe kompromiseve të pandalshme me shtetin e Serbisë.

I pyetur se si i komenton Lëvizja Vetëvendosje deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili tha dje në Prekaz tha që të mos bëhet fushatë me Ditën e Flamurit, Konjufca tha se kjo nuk është fushatë politike, por është fushatë kombëtare.

Në këtë aksion simbolik të Vetëvendosjes kishte edhe njerëz që kishin ardhë nga Malësia e Gjakovës, për ta festuar së bashku Festën e flamurit.

Shazim Fejzaj, rreth 80 vjeçar, edhe pse i shtyer në moshë, kishte marrë rrugën nga Malësia e Gjakovës për t’iu bashkuar Festës së Flamurit të Shqipërisë në Kosovë.

Ai thotë se kjo festë është shumë domethënëse për të gjithë shqiptarët, që sipas tij, është Kuvendi më i madh që kanë pasur shqiptarët ndonjëherë dhe shtoi se flamuri i Kosovës është i huaj, e jo i shqiptarëve.

“Mu um pelqen flamuri kombëtar, flamuri i Kosovës është flamur i huj, ai nuk i pelqen kerkujna, i pelqen veç atina që nuk na e don të mirën. Kta e majnë se jemi hala pa e marrë të plotë pavarsinë. Pavarësinë e plotë e marrin kur të bashkohet e tërë Shqipëria si një trup i vetëm nën flamurin kuq e zi”, ka thënë ai.

VV zëvendëson flamurin kosovar me atë kombëtar

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë zëvendësuar flamurin e madh të Kosovës në hyrje të Prishtinës me atë kombëtar.

"Sot në orët e para të mëngjesit, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vendosen flamurin kombëtar në hyrje të Prishtinës (te rrethi)", thuhet ne nje komunikate te Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë, sot rreth orës 10:00, u arrestuan katër aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, të cilët ishin duke zëvendësuar flamujt e kaltër me ata kombëtar.

"Ata janë duke u mbajtur në stacionin e policisë", thuhet me tej ne komunikaten e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Gazeta Express

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.