Lejoi ndërtim në breg të detit, 2 vite burg punonjësit të bashkisë Vlorë

Postuar në 19 Nëntor, 2014 14:05

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar dënimin me 2 vite burg dhe 2 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për ish-drejtorin Urbanistik në Bashkinë e Vlorës, Odhise Zoto. Ish-drejtori Urbanistik i Bashkisë Vlorë akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se Zoto në kundërshtim me ligjin dhe me detyrën që mbante, ka hartuar dokumentacionin për ngritjen e një godine shërbimi dhe banimi në breg të detit, në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë, nga shoqëria “G.B. A-Konstruksion” sh.p.k, një zonë në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi.
 
“Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se i pandehuri, në cilësinë e drejtorit urbanistik të Bashkisë Vlorë, pas shqyrtimit të kërkesës së dorëzuar nga ana e shoqërisë së ndërtimit, ka nxjerrë aktin me shënimin Të mos kalojë për miratim në KRRT. Të vendosë KRRT”. Por, ndërkohë rezulton që kjo kërkesë, pasi ka kaluar për vendimmarrje në Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT), Bashkia Vlorë, është votuar nga të gjithë anëtarët, përfshirë edhe të pandehurin Zoto (si anëtar i KRRT-së), i cili vetë ishte shprehur se nuk duhet të miratohet (në cilësinë e drejtorit urbanistik)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Vlorës.
 
Sipas organit të akuzës, Zoto ka shkelur detyrën, pasi kjo kërkesë nuk duhej të kalonte për shqyrtim në KRRT prej tij, pasi pozicioni i tij është filtri kryesor për kërkesat që shqyrtohen nga KRRT.
 
Por sipas Prokurorisë së Vlorës “ky shtetas, pavarësisht se ka pasur bindjen se kërkesa nuk duhej miratuar, për faktin që kërkohej ndërtimi në një zonë të palejuar për ndërtime, sërish e ka përcjellë këtë kërkesë për vendimmarrje në KRRT”.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.