Basha në Vlorë: Jemi gati me ofertën e re. Në protestë edhe Tahiri i PDIU-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë protestës së radhës, që u mbajt të shtunën në Vlorë, deklaroi se vendi ka nevojë për një ofertë të re, për t'u ndarë përfundimisht nga ajo që Basha e quajti 'e keqja Meta-Rama'.
"Ne jemi gati, oferta e re është gati për të sjellë ndryshimin dhe për të ndalur të keqen që ka përfshirë vendin, nën drejtimin e dyshes Rama-Meta", tha Basha.
Në një fjalim disaminutësh para të pranishmëve, Basha theksoi se PD do t'i paraprijë revoltës kundër Qeverisë.
Edhe deputeti Arben Ristani u shpreh se situata ekonomike e rëndë po vështirëson jetën e qytetarëve, ndërkohë që pushtetarët nuk po bëjnë asgjë për popullin.
Ajo që ra në sy në protestën e sotme, ishte prania e deputetit të PDIU-së, Dashamir Tahiri, i cili shprehu qëndrimin e tij kundër qeverisë aktuale. Kjo deklaratë e tij, vjen në një moment, kur kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi pranoi futjen në koalicion me PS-në dhe daljen në zgjedhje me kandidatë të përbashkët, si dhe qëndrimit të deputetit tjetër, Tahir Muhedini, sipas të cilit ende nuk është vendosur se në cilin kah do të qëndrojë PDIU dhe se deputetët e kësaj force politike nuk do të jenë të ndarë.
/ Top Channel
Add new comment