Martesat gay në Francë dhe disa pyetje elektorale të komunitetit LGBT në Shqipëri

Franca do të pasojë së shpejti 6 vendet evropiane që kanë legalizuar martesën e homoseksualëve. Dhoma e ulët e parlamentit e miratoi legjislacionin më 12 shkurt. Miratimi i ligjit nga Senati pritet të bëhet pa vështirësi, pasi socialistët në pushtet, të cilët janë pro-martesave të homoseksualëve, kontrollojnë parlamentin.
Por çështja ka nxitur çuditërisht përçarje të thellë në Francën katolike - por me qëndrim të fuqishëm laik. Betejat pro dhe kundër martesave të tyre janë demonstruar në rrugë dhe në politikë. Anketat në media thonë se shumica e francezëve i mbështesin ato, por javët e fundit, dhjetra mijëra kundërshtarë kanë marrë pjesë në protesta në Paris.
Edhe në Tiranë po tentohet një debat i ri për homoseksualët, kësaj here me sfond të pashmangshëm elektoral. Duke folur për dokumentarin “Të fshehur mes jush” të realizuar nga Pro LGBT me mbështetjen e fondacionit Soros, Xheni Karaj, drejtuese e Aleancës LGBT artikulon në një intervistë për të pë rditshmen “Panorama” kërkesën e komunitetit LGBT për të patur të drejtën e adoptimit të fëmijëve dhe legalizimin e të drejtës për të ndërtuar familje e për të rritur fëmijë.
“Ne do të votojmë në qershor dhe duam të dimë: cila forcë politike mbështet të drejtën tonë për të krijuar familje, për të gëzuar privilegjet, por edhe detyrimet që kanë të gjitha çiftet, qoftë në martesë, qoftë në bashkëjetesë? Cila forcë politike ka menduar të na sigurojë të drejtën për të adoptuar fëmijë, në rast se çiftet LGBT plotësojnë të gjitha kushtet e kriteret për t’i siguruar jetë të lumtur fëmijëve? Dhe mbi të gjitha, cila forcë politike do mendojë për masa konkrete për të çrrënjosur diskriminimin në arsim, në aksesin në shëndetësi dhe kudo ku shfaqen persona homoseksualë? Deri tani, ne ende nuk e dimë…”. A.N.
Add new comment