Projeksion pesimist i Bodes për Buxhetin e Shtetit deri në 2020-ën

Gazeta MAPO raporton sot se një udhëzim i posaçëm me firmën e Rodvan Bodes ka shkuar në të gjitha institucionet buxhetore dhe ministritë e linjës, ku njoftohen për fondet tavan që do të kenë për secilin vit, deri më 2020. Në fakt, ky është planifikimi më afatgjatë që Ministria e Financave ka bërë ndonjëherë për fondet buxhetore.
Ajo që ofrohet të ndodhë me financat publike pas gjashtë vitesh, në fakt, është shumë pesimiste, të paktën sipas parashikimeve të e Ministrisë së Financave. Për disa institucione rritja e fondeve në 2020-ën, në krahasim me këtë vit buxhetor, do të jetë tejet modeste. Madje për disa institucione të rëndësishme parashikohet të ketë ulje. Kështu ndodh me buxhetin e Ministrisë së Transporteve, i cili në vitin 2020 rrudhet me gati 5 miliardë lekë, duke shkuar në 39 miliardë lekë, nga më shumë se 44,7 miliardë lekë që është parashikuar këtë vit. Për Ministrinë e Kulturës do të ketë një rënie të buxhetit më shumë se 70 milionë lekë ulje, në krahasim me buxhetin e këtij viti.
Duket se, kriza ekonomike në të cilën është përfshirë edhe ekonomia shqiptare në vitet e fundit, do të shtrijë efektet edhe për vitet në vijim, pasi ekspertët e Ministrisë së Financave kanë planifikuar rritje modeste të shpenzimeve për funksionimin e sektorëve kryesorë, madje parashikohet rënie në disa prej tyre. Ekspertët e Financave, sipas MAPO-s, thonë se këto programime janë orientuese për shkak se në këto kohë krize edhe buxheti vjetor nuk po parashikohet në nivele të sakta, madje arrin të ndryshojë edhe tri herë në vit. Në një dokument të mëparshëm Ministria e Financave parashikonte që ekonomia e vendit do të niste të rimëkëmbej pas vitit 2015.
Re.Pu.
Add new comment