Politikani i ri që ka nervozuar Idrizin flet për "një krimb që nuk e lë rehat këdo që ka lindur çam"

Postuar në 26 Mars, 2013 11:12

Alqi Koçiko i revistës Klan ka sjellë më në fund një portret të personit që prej muajsh është vënë në krye të pakënaqësive të komunitetit çam ndaj Shpëtim Idrizit me atë që media e prezanton si Lëvizja Çame. Quhet Artur Dojaka, është nga një familje e njohur çame dhe Koçiko e portretizon si më poshtë:

"Portreti i qetë i një burri të ri që dikush ende mund ta kategorizojë si “djalosh”, bëhet në çast ekspresiv, kur në një intermexo bie fjala për ullinjtë dhe vajin e mirë. Ka lidhur jetën dhe biznesin e tij me këtë bimë të bekuar, por edhe me fermat e bagëtive dhe bulmetrat e fismë. “Celulari të bie vazhdimisht”, i them, “dhe besoj se jetën e ke të mbushur me aktivitetet e tua. Ç’tu desh ky angazhim politik?” Ndoshta e kanë pyetur dhe më parë, nuk e di, por përgjigjen Artur Dojaka e jep menjëherë. Është një “krimb”, thotë, që nuk e lë rehat këdo që ka lindur çam, pavarësisht sesa ka ecur në shkollimin, biznesin dhe jetën e vet private. Janë rrëfimet e vuajtjeve të paraardhësve, është shpresa se kohë të tjera kanë ardhur, kur padrejtësia mund të vihet në vend. “Dhe kur këtyre u bashkohet zhgënjimi se disa luajnë me një komunitet të tillë, nuk mund të rrish duarkryq”, thotë Dojaka, i bindur se si ai janë të shumtë mes shqiptarëve çamë... E sheh me “zili” modelin e angazhimit të diasporës kosovare për atdheun e vet, një shembull i shkëlqyer dhe i paarritshëm për komunitete të tjera. “Dhe ndjeshmëria e Kosovës për kauzën tonë është shumë e madhe. Kemi kontakte si me shqiptarët e Kosovës, edhe me ata të Turqisë, mes të cilëve ka shumë çamë”, thotë Dojaka. Janë shqiptarët e Çamërisë që u dëbuan si “turq” me disa valë raprezaljesh, kur në vitet njëzetë të shekullit të kaluar Greqia dhe Turqia kryen shkëmbimin e popullsive pas dështimit spektakolar ushtarak grek në Azinë e Vogël, nga dora e Mustafa Qemalit. “Janë edhe ata, dëshmi e atij amaneti të vjetër”, thotë Artur Dojaka, “që të mbetet i ngulur në mendje dhe nuk të lë rehat. Një amanet që nuk blihet e as shitet me para e poste”...

Mes Idrizit dhe Dojakës ka patur kohët e fundit edhe 'përplasje' direkte. Idrizi ndërhyri disi nervoz në një emision të Ilva Tares kur kjo e fundit ngriti një panel me Dojakën, Pëllumb Xhufin dhe disa gazetarë lidhur me çështjen çame. U premtua nga Idrizi një përballje televizive mes tij dhe Dojakës, e konfirmuar nga vetë gazetarja Tare, por përballja është shtyrë disa herë. a.th.

 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.