Me marrëveshjen Thaçi-Daçiç, Kosovës i është prerë përgjithmonë anëtarësimi në OKB? Vetëvendosje: Do ta kundërshtojmë marrëveshjen, në Kuvend e në rrugë

Postuar në 21 Prill, 2013 11:32

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do të aktivizohet, do të organizohet për kundërshtim të fuqishëm të kësaj marrëveshje edhe në Kuvendin e Kosovës e edhe jashtë tij”, ka thënë Albin Kurti i cituar nga Koha.net. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, mbledhur sot e që vazhdon punimet, Kurti është shprehur të shpresojë në mbështetetjen e subjekteve të tjera për iniciativën e lëvizjes “Vetëvendosje” për të themeluar Komision hetimor për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës.

Kurti ka thënë se duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet me Serbinë, të cilat, sipas tij, janë bisedime pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës, çka me to nuk forcohet pavarësia e Kosovës prej Serbisë, por pavarësia e veriut të Kosovës prej Kosovës.
Ndërkohë që Këshilltari i Kryetarit të Serbisë, Marko Gjuriç, është shprehur për Televizonin "Prva" se "Me këtë marrëveshje kemi fituar garancinë e përhershme se Serbia nuk detyrohet të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, se nuk do të detyrohet të njohë pavarësinë e Kosovës, se që nga fillimi deri n fund kemi kontrollin në shumë fusha. Janë arritur gjëra shumë më të mëdha se sa për serbët në jug”. Gjuriç, i cituar nga agjensia e lajmeve INA,  ka thënë se me marrëveshje ndalohet prania e forcave të sigurisë në komunat në veri të Kosovës, dhe se "Nga Katalonja deri te Baskia askush nuk ia ka dalë të fitojë atë që kemi fituar ne. Nuk i lejuam organizatat ndërkombëtare dhe do të krijojmë institucione që do t’i kontrollojnë serbët ".

k.c.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.