Komentatorët zhbirilojnë në vendimin e AK-së për të dalë më vete në zgjedhjet e 23 qershorit

Postuar në 25 Prill, 2013 03:48

Janë disa vetë që kanë dhënë shpjegimet e tyre lidhur me vendimin e djeshëm të Spahiut. Vladimir Karaj që shkruan për Mapon, në tentativën për të shpjeguar kandidimin më vete të Kreshnik Spahiut, thotë se “ai gjeti një pretekst për të refuzuar Ramën, por {arsyet janë të tjera]”, dhe teksa duket se nuk përjashton asnjë variant, ai i mbahet më shumti tezës së protagonizmit të Spahiut, që nuk do të gjente hapësirë për t’u shpalosur në një koalicion me 40 parti.

Ky është shpjegimi “më dashamirës” që i është bërë deri më tani këtij gjesti politiko-elektoral të AK-së. Nuk është se kanë qenë të shumtë ata që kanë shkruar (nuk kanë kaluar, veçse disa orë nga momenti që është bërë publik lajmi), por ata që kanë shkruar, kanë dhënë shpjegime të tjera. Andi Bushati, një ditë para se Spahiu të deklaronte refuzimin e koalicionit të opozitës, bënte aluzion në shkrimin e tij me titull “Të gjithë kundër Berishës”, se “[Spahiu] po joshet me të gjitha mënyrat nga familjarët dhe nga kontrabandistët e pushtetit për të dalë i vetëm në zgjedhje duke gërryer kështu votat e opozitës, me shpresën se do të krijojë një alterego politike të Topit në të majtë”.

Mero Baze nuk e ka vonuar shumë komentin e vet lidhur me këtë argument. Këtë koment ai e pati gati dy orë pasi Spahiu doli në konferencën për shtypin. Baze i eviton, madje nuk i beson skenarët, që flasin për Spahiun si vegël të Berishës, por nuk ka gjetur ende një shpjegim të vetin. Ai mjaftohet të thotë, se “Kreshnik Spahiu nuk ishte i lirë dhe nuk ishte transparent gjatë gjithë periudhës kur tentoi të bënte koalicion me opozitën. Që nuk ishte i lirë e shikoja tek përpjekja e tij e stërmundimshme të shpikte çdo orë nga një shkak, dhe që nuk ishte transparent e shikoja që nuk u thoshte kurrë dy vetëve të njëjtën arsye.” Dhe lë plot gjëra të kuptohen kur thotë se “për transparencën e [motiveve pse ka refuzuar koalicionin me PS-së] mund ta ndihmojë [Kreshnikun] nëse ka nevojë”.

Më i qartë e konkret është Eduard Zaloshnja, i cili flet “jo me hamendje, por për gjëra që i di mire”: “[Spahiu ka] bërë presion që të fuste shoqet dhe shokët e tij në listën e deputetëve të PS-së, e jo Myslym Pashajn apo Lisen Bashkurtin; dhe këto mandate i donte në tavolinë, përveç mandateve ekstra që mund të përfitonte duke u futur ne koalicionin opozitar” (shihni shënimin e tij në linkun http://respublica.al/artikuj/2013/04/25/shenim-pse-u-zhgenje...).

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.