Pushtete pa autoritet

Postuar në 07 Gusht, 2026 00:28

skerdilajd zaimi

Në Britaninë e Madhe ka rënë në sy rasti i një profesori të Kembrixhit që ka dhënë dorëheqje pasi u verifikua se kishte gënjyer për publikimin e një libri, u provua plagjiarizmi i tij, akuza të cilat i nisi gazeta “The Telegraph”.

Jason Arday, ishte 37 vjeç kur u caktua profesor dhe hyri në listën e ngjarjeve si më i riu me ngjyrë në atë rol. 

Çështja që ka sjellë largimin e tij është shembull i pastër i një raporti të ri që elitat akademike kanë krijuar me pushtetin e tyre publik duke instrumentalizuar autoritetin e vet, tanimë vetëm i trashëguar. Akuzat ndaj Arday u cilësuan si një fushatë e ulët, ndërkohë që shqetësimet për të dhënat në cv-në e tij u ngritën nga akademikë të tjerë. Metoda e skualifikimit të akuzës është universalizuar duke i zënë vendin refleksit të kontrollit dhe verifikimit. Përkundër relatimit me akuzat dhe dëshmitë si element pastrimi dhe verifikimi, sot institucionet janë ngujuar në kulturën e refuzimit, relativizimit dhe zhvlerësimit të opinionit përherë me alibinë se është në të mirë të interesit publik të shmanget skandali. 

Sipas gazetës britanike çështja po tentohet të mbyllet me dorëheqjen e Arday pa vënë në analizë metodën e emërimit, përgjegjësitë për këtë vendim dhe arsyet e mbrojtjes a priori në vend të auditimit. 

Nuk është mëkat të spekullohet për interesa dhe marrëdhënie okulte, që i nënrenditen dhe asociohen me agjenda të tjera që e bëjnë heshtjen strategji. E njëjta linjë e pak viteve më parë kur vendime të rëndësishme dhe me pasoja si ato për çështjet gjinore kalonin si akte burokratike anonime. 

Ky aks i elitizmit perëndimor është ai që promovon më shumë demokracinë, të cilën e ka kthyer në një kështjellë fjalësh pa kuptim pas së cilës fshihet ndoshta manipulimi më i madh i këtij nocioni. Dhe pra edhe fundi i tij faktik. Kur njerëz që duhet të kryejnë shërbim publik shndërrohen në kastë, fisnikërimi i së cilës buron nga sektarizmi mbi bazë agjendash ideologjike, atëherë është e qartë se diçka është kalbëzuar thellë në rendin e vlerave. 

Kjo e mbron pushtetin pa autoritet edhe në botën e akademisë e cila amnistohet pikërisht se shërben me diskreditmin e vet. Është një mekanizëm që e njohim shumë mirë edhe në Shqipëri. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.