Shqipëria është në Luftë Civile

Shqipëria është në momentin më të mirë. Kështu citohet të jetë shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë dhënë për “Financial Times”. Procesi i negociatave po ecën mirë në kuptimin Teknik të fjalës, por siç është e qartë për shumëkënd që jeton në Shqipëri, kjo ecuri nuk përputhet me nivelin demokratik dhe liritë ekonomike. Mjafton rasti i Zvërnecit për të kuptuar se një pjesë e institucioneve veprojnë nën logjikë klientelistë dhe hapur antiligjore.
Lajmet inkurajuese nga Brukseli nuk përkojnë asnjëherë thuajse me gjendjen dhe lajmet në vend. Edhe rezultatet makroekonomike dhe makrofinanciare që gjenerohen nga statistikat, nuk shndërrohen në mirëqenie të prekshme për njerëzit. Nuk ka thuajse një ditë, apo një procedurë që gjenerohet nga institucionet të mos jetë e dyshimtë ligjërisht. Aeroporti i Vlorës është i fundit në serinë e atyre që nuk janë vetëm dështime në menaxhim, por edhe skandale.
Tërheqja e Alabar nga Durrësi, apo distancimi i tij nga projekti, janë një tjetër aspekt që ilustron përveç shkeljeve eventuale edhe një lloj shkëputjeje të qeverisë nga opinioni dhe nevoja për të bërë transparencë dhe dhënë llogari për investime që prekin pjesë kritike të territorit. Kompania Kayo e ushtrisë, ende pa nisur mirë punën, është bërë objekt i të gjitha dyshimeve dhe spekullimeve, ndërkohë që edhe një nismë e fundit e qeverisë për përqendrimin e furnizimit të spitaleve, është pritur me reagime.
Këtu nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes serinë e hetimeve penale të SPAK, që sa ka nisur të gërvishë koren e madhe të korrupsionit të nivelit të lartë, që në dosjen e AKSHI-t manifestoi prirje të qarta të strukturimit kriminal me kërcënim direkt të jetës së personit. Nën bekimin e imunitetit që të jep statusi gri, karakteristike për këtë qeveri, i zyrtarit që ka lidhje me krimiin.
Cila Shqipëri pra po i afrohet BE-së? Cila Shqipëri është në ditën e saj më të mirë? Ajo e qeverisë që po hetohet dhe që vetëm provokon qetësinë e çdo qytetari, apo ajo e përditmërisë që është shndërruar në një impiant toksikimi shpirtëror? Nga buron kurajua dhe paturpësia e një kryeministri që flet në këtë mënyrë në krye të një vendi të drejtuar nga një qeverisje absurde që duket se është nën prezumim permanent?
Një përgjigje është se ajo kurajo buron nga siguria e pushtetit, siguri që nuk lidhet me suksesin e vendit, por me faktin se për momentin nuk ka alternativë konkuruese, të besueshme. Ky inflacion që vepronm në terren bosh shpjegon këtë narrativë absurde dhe eterike të një kryeministri që nuk heq dorë nga vetëreferimi edhe kur i gjithë vendi po shpreh përherë e më shumë një pakënqësi që nuk është vetëm ekonomike. Por edhe e ndërgjegjes, e perspektivës, e nevojës për të dalë nga morsa e një modeli që inkubohet edhe nga ligjërime të kësaj natyre.
Nuk ka asgjë krijuese te ky person, asnjë imagjinatë nuk ngacmon më trupin e kësaj qeverie që është shndërruar përherë e më shumë në agjenci prokurimi dhe shpronësimi. Lejesh, koncesionesh, sajimesh institucionale e me radhë.
Distanca dhe hendeku mes saj dhe të vërtetës që edhe me mjetet zyrtare është e matshme, e vendos aktin politik në Shqipëri në gjendjen e një lufte civile që po konsumohet dhe strukturohet fillimisht me fjalë. Me deklarime, me kundërvënie verbale. Është një luftë civile që përfshin edhe impotencën e opozitës, mungesën e autoritetit të saj si siguresë të qeverisë së z. Rama, që vazhdon të këndojë një këngë dhe një meshë ku nuk ka mbetur asnjë besimtar. Por vetëm spektatorë të paguar që duatrokasin në emër të kambialit tradicional të jetës publike shqiptare.
Shqipëria është në luftë civile, por jo shqiptarët. Sepse sensi pragmatik dhe praktik i ka bërë qytetarët e këtij vendi, në pjesën më të madhe, të kthjellët në leximin e një të vërtete që që është evidente. Edhe socialistët, edhe demokratët, pjesa më e madhe e tyre, e pohojnë se gjërat kanë ikur për keq, por rreshtohen publikisht në një narrativë që i lidh interesi. Ky është patjetër një realitet që çon në përplajse, por së paku ai nuk çon në keqkuptime.
Ne e dallojmë me sy njëri-tjetrin se si janë gjërat. Por në emër të atij pragmatizmi, kemi zgjedhur që të mbajmë anën që na shkon për hise. Kjo është një luftë civile që vazhdon prej kohësh, por nuk ezaurohet në konfrontim pikërisht për arsyen se askush nuk beson te narrative zyrtare, por shumëkush përfiton prej saj. Pa i hequr asnjë presje të vërtetës së gjithëprauar në heshtje.
Jemi para një situate të pazakonshme ku nocionet e të mirës dhe të keqes, drejtësisë dhe padrejtësië nuk ushtrojnë më asnjë presion faktik, sa për këtë diktuar vendimmarrjen dhe drejtimin e saj. Përkundrazi, tendenca e dukshme e politikës është që maketet e projekteve të veta politike t’i prezantojë si gjithëpërfshirëse, për të kontaminuar gjithkënd dhe për të kaluar te deviza: Bashkëpërgjegjës dhe bashkëprfitues. Do të ishte fatale që gjithkush të shihte të sotmen kur e ndjen dhe e di se e nesërmja po shembet edhe pse me intuitë do besuar se një vullnet I mirë, apo më saktë një vullnet që sheh nga e ardhmja është kristalizuar dhe do të fitojë. Për të vënë në vend edhe Fjalën dhe Mendimin që kaq shumë janë strukur pas interesit.

Add new comment