Ne e kemi merituar 1913-n

Postuar në 17 Shtator, 2026 12:23
Skerdilajd Zaimi

 

Ka dalë sot nga vrima e rehatllëkut Niko Peleshi, i caktuar në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë për të njoftuar një deklaratë të përbashkët në denoncimin e vendimit të Gjykatës së Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dje Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin ndaj 4 ish-udhëheqësve të UÇK, që udhëhoqën luftën çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ky vendim përbën një moment të rëndësishëm dhe të dhimbshëm jo vetëm për Kosovën por edhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare.

Në dakordësi të plotë me grupet parlamentare sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë përmes së cilës do të shprehim qëndrimin e Kuvendit mbi këtë zhvillim. Komisioni për Punët e Jashtme po finalizon tekstin e deklaratës

është shprehur Peleshi.

Pra, Shqipëria, një shtet i krimit të organizuar, një shtet që e ka mbushur memorien e vet me deklarata ambasadorësh të huaj, që nuk arrin dot të sjellë ujin në shtëpitë e njerëzve, një para-shtet që i ngjan depozitave majë taracave, që edhe drejtësinë penale e mori me dhunën e të tjerëve për të vënë para përgjegjësisë hajdutët që sot qeverisin, denoncon drejtësinë në Hagë.

Një pjesë e madhe e shoqërisë i shkon pas kësaj mejhaneje duke shpallur se në Hagë u vranë heronjtë e luftës, e cila edhe si e tillë, as mund të kuptohet pa aktorët ndërkombëtarë. Askush nuk do të lexojë dhe kuptojë se dënimi konsideroi se nuk po gjykohet LUFTA e UÇK-së, as vetë UÇK-ja, se nuk ka patur krime kundër njerëzimit, por se katër krerët e UÇK-së kanë vrarë apo torturuar kundërshtarë politikë për pushtetin e tyre. A nuk bëri të njëjtën gjë Enver Hoxha?

Edhe ai e fitoi luftën, edhe ai ishte çlirimtari apo në krye të çlirimtarëve. Po a justifikon kjo krimet që pasuan? Enver Hoxha shpiku gjykatat popullore, mandej edhe prokurorinë popullore dhe çoi në pushkatim dhe litar shumë njerëz me to. A jemi dakord me këtë mënyrë të vepruari, jo me vendimet në vetvete? Pse sot, kur drejtësia e gjithëpranuar si autoritet kushtetues në Kosovë, shpall një vendim, ne flasim për plaçktije të së vërtetës historike? Pse sillemi njësoj siç sillet Mero Baze dhe velillarët e tjerë për procesin e ndërmarrë ndaj Zdromsit të Tiranës?

Sillemi kështu se kjo është kultura jonë. Kultura e zaptuesit, e plaçkitësit që pasi të ka vjedhur e vrarë, e konsideron plaçkën si pronë të vetën. Duke mos pranuar në asnjë mënyrë që të shqyrtohet sesi u krye ky posedim. Është kjo kulturë, krahas asaj të viktimizimit historik, që i kanë mbushur mendjen një pjese shqiptarësh se ata janë të pafajshëm në përjetësi dhe të tjerët janë maskarenj dhe kriminelë.

Historia e ndarë si plaçkë morale, ku morali shpiket sipas leverdisë. Nuk ka sesi të jetë kështu. Nuk ka sesi, një shoqëri dhe institucionet të reagojnë në këtë mënyrë në vitin 2026. Nëse duam të vazhdojmë kështu, mos të na vijë keq se pse bota na përçmon dhe na ka miratuar që të rrimë në bisht të të gjitha vendimeve.

Sigurisht që nuk ka sesi të pranohet symbyllur dhe kokëulur çdo gjë. Por në fund të fundit, në rrjedhën e marrëdhënieve politike dhe shoqërore, arbitrimi i pranuar respektohet. Dhe të një minimum dinjiteti për të vërtetën është I domosdoshëm: ne e dimë shumë mirë çfarë ndodhi pas lufte me kundërshtarët e UÇK-së. Një pjesë të tyre. Ne e dimë krimin dhe korrupsionin që kapi Kosovë. Sot befas shpallim shenjtorë dhe engjëj, mdje mburremi se Liria ka Emër. Po ka emër. Është NATO. Të tjerat janë përralla, pa mohuar asnjë kontribut kuptohet. Janë përralla miopësh dhe cungjesh që na konfirmojnë se në një aspekt, ne e merituam 1913-n. Dhe atë kriter që u përdor për të na hedhur një kockë si shtet. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Vendimi i Gjykates se Hages po tregon se sa e kalbur deri ne palce eshte shoqeria shqiptare e cila edhe pse ka kaluar periudha histporike te veshtira por edhe kur i eshte dhene rasti nuk ka ditur asnjehere te beje shtet sepse ka rene pre e kultures tribale te zaptimit, etjes per pushtet dhe dhunes. Shkrimi eshte shume realist dhe ve doren pikerisht ne nje plage qe shoqeria shqiptare edhe pse vitet kalojne nuk po di ta mbylle!

Submitted by Andreas (not verified) on

Nje pjese e mire e kallaballekut kerkojne me çdo kusht, qe ti mbushin mendjen vehtes se Kosoven e çliroi UçK-ja. Dhe mund te duket e çuditshme, po ja kane arritur qellimit!

Submitted by Pandi (not verified) on

Nje shenim qe duket qarte se i takon nje njeriu qe bertet shume e fatkeqesisht askush s'po e degjon. Ti kapim rreshtat me rradhe, shume kush,e une bashke me to, te jep te drejte. Edhe une njesoj si ty bertash te njejtat fjale nga e para deri te nje para fundit qe te them te drejten nuk dakordoj me ty.
Pavaresisht si ka ndodhur, dhe une e di si ka ndodhur, nuk e them me te njejtat fjale. Pasi me duket se ka doza percmimi.
Aresyeja edhe e thjeshte. Vendi im nuk ishte e te njejtit nivel me fuqite e medha, dhe padyshim ishin ata qe do jepnin dakordesimin e shtetit te ri. Fundja, ata (fuqite e medha) ia dhane apo negociuan, e tek tuk edhe luftuan per lirine tek te gjithe fqinjeve tone te sotem. Ishin te njejtat edhe per Taivanin, Singaporin, ishin te njejtat edhe per cdo shtet te sotem nga lindja e mesme deri ne Kine.
Bota fatkeqesisht rrotullohet e rrotullohet e prap ne ata 4-5 emra sillet me te mire e me te keq. Diku aty pas luftes se pare duallen dhe miqte tane te pertej detit e sot prijne tavolinen qe ka ate avazin "Selanik e tatepjete, sic ka qene do te jete...

Prandaj mendoj se nuk jemi te vetmit ne listen e kockepritesve, fundja asnejhere skemi qene te vetmit.

Submitted by redaksia on

Nuk jemi te vetmit. Patjeter qe jo. Por ama ate fat, apo rrethane qe na e dha koniunktura do te duhet ta respektonim shume me seriozisht, jo te tallemi sic beme kete shekull qe lame pas. 

Dikur Jusuf Vrioni, i pyetur per "pavaresine e Shqiperise qe e bene te huajt", korrigjoi me shume vend: Kufinjte e Shqiperise i bene te huajt. Jo Pavaresine. Dakord, por ne nuk respektuam as te paren, e nuk kuptojme as rendesine e te dytes. Keshtu qe kur flasim e bertasim per padrejtesi, pas 100 vjetesh, edhe do kthyer pasqyra nga vetja. E te pyesesh: Cfare beme me ate qe na u dha? E shqyem dhe e vodhem. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.