Polemikë e një ish-kryeministri me një publicist. Berisha: "Lubonja sozia e Kadriut dhe Feçorit". Lubonja: "Me këtë opozita nuk ka të ardhme"

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe publicisti Fatos Lubonja janë përfshirë në një polemikë të shoqëruar me akuza të forta. Gazeta "Panorama" shkruan sot në faqen 7 se shkak i këtij debati janë bërë pamjet e emisionit "Opinion" ku Lubonja në debatin e para disa kohëve për armët kimike e quan kolegun Adri Nurellari "plehrë". Kjo ka mjaftuar që Berisha të shkruajë një status në profilin e vet në Facebook të cilin e ka quajtur "Pas perdes, apo pa maska". "Lubonja nuk ishte mbrëmë publicisti i njohur, avokati me sens i urbanistikës së qytetit apo analisti antindërtim me disa shtëpi të vetat, nuk ishte opozitari i opozitës blu as edhe veprimtari i dikurshëm i të drejtave të njeriut i konvertuar mrekullisht në kriptoavokatin e neobllokmenit Edi Rama, tritolit dhe shtetit të tij policor. Fatos Lubonja mbrëmë i shpërfytyruar deri në ekstrem, ishte më shumë se kurrë vetvetja, uni i tij, ishte sozia e Kadriut, Feçorit, Arianitit, Jorgo Sulit ishte hetuesi i tij, prokurori i tij, gardiani i tij, ati i tij. Ai pra me egërsinë njerëzore mund të ishte secili prej tyre", shkruan ndër të tjera Berisha. "Panorama" i ka marrë një prononcim edhe Lubonjës i cili ka deklaruar se Berisha edhe në këtë rast luan teatrin e tij të zakonshëm. "Mbeta gojëhapur nga ky reagim...Nuk jam i sigurt nëse ky njeri edhe pas njëzet vjetësh demokraci ka mbetur me po atë kulturë apo luan teatër, duke menduar se elektorati i tij është aq budalla sa kërkon ende të ushqehet me urrejtjet që ka kultivuar Enver Hoxha. E them këtë duke kujtuar "puthjet" me Nanon, pasi e kishte akuzuar si bllokmen, si vrasës e plot të tjera. Por një gjë është e sigurt, se po ndoqi gjuhën e tij, kjo opozitë s'ka të ardhme". S.z
Add new comment