Veteranët e UÇK-së në protestë. Pas 14 vjetësh, ende s’ka një ligj për njohjen dhe trajtimin e vlerave të kësaj kategorie

Të organizuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të ish-luftëtarëve, veteranët e luftës kanë protestuar sot para ndërtesës së qeverisë dhe asaj të Parlamentit në Prishtinë. Ata kërkuan që së shpejti të miratohet ligji për vlerat e luftës, ku të gjitha kategoritë e dala nga lufta do të merrnin përfitimet që parashikohen në ligj.
“Motoja e kësaj proteste është miratimi i ligjit për veteranët e luftës nga Parlamenti. Ne jemi të pakënaqur që pas 14 vjetësh jemi ende në këtë gjendje dhe kërkojmë miratimin sa më shpejt të këtij ligji. Në të kundërt, ky është vetëm një paralajmërim i vogël për protestat që do të fillojnë”, deklaroi Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Organizatorët ftuan kryeparlamentarin Jakup Krasniqi të dalë jashtë në oborrin e Parlamentit për t’i takuar protestuesit, por Krasniqi ftoi organizatorët në zyrë. Protestuesit nuk pranuan një takim të tillë dhe pas një ore, sa zgjati protesta, u shpërndanë të qetë. Organizatorët paralajmëruan protesta të tjera në ditët në vazhdim.
Zh.
Add new comment