“Grupi i tritolit” - Sinanaj provohet si qitës në poligon. “Shqip” bën të ditur se Karçini hetohet edhe për pjesëmarrje në grup kriminal

Dëshmitë e Julian Sinanajt duket se janë vënë në provë për të krijuar bindjen nëse ky person ka aftësinë të kryejë eliminime të njëpasnjëshme dhe të vështira. Për këtë arsye, siç njofton gazeta “Shqip”, Sinanaj është çuar paraditen e ditës së hënë në poligon për të prvuar aftësitë qitëse. Sipas gazetares Silvana Muça qitja ka provuar aftësinë e Sinanajt, si në pistoletë ashtu edhe në armët automatike, në distanca të ndryshme. Kjo konfirmon fjalët e tij, sipas të cilave ai kontaktohej sepse nuk gabonte kurrë. Ndërkohë, po për këtë çështje, duket se dëshmia e tij për biznesmenin Ilir Karçini bëhet shumë rënduese. Është po gazeta “Shqip” që njofton se aktualisht Prokuroria ka hapur hetim ndaj tij edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Hetimi fillestar lidhej me sigurimin e mjeteve për kryerjen e vrasjeve. Gjithsesi, duhet thënë se deri më tani, nuk ka asnjë arrestim shtesë për këtë ngjarje, po të lëmë mënjanë personat që janë shpallur në kërkim. Kjo ka vlerë të nënvizohet, pasi në media kanë dalë fragmente të supozuara të dëshmive të Sinanajt, që flasin edhe për implikime të politikës.
s.z
Add new comment