Jo vetëm ndihma dhe këshilla nga Europa. Ambasadori austriak vlerëson shkollën në Shkodër përpara investimeve të tjera

Ambasadori i ri i Austrisë në Tiranë Thomas Schnöll ka dhënë një intervistë që është publikuar sot në “Gazetën Shqiptare”. Jemi mësuar me interv ista ambasadorësh që kanë në majë të gjuhës frazat e integrimit, por kjo e Schnöll zbulon një politikë kulturore të Austrisë ndaj Shqipërisë. Ambasadori e prezanton veten si njohës shumë i mirë i Shqipërisë, për shkak të karrierës së tij diplomatike që lidhet me vendin tonë. Ndaj edhe është interesant sesi diplomati austriak e sheh ndikimin e vendit të tij këtu. “ Austria gjithmonë ka pasur dhe do të ketë vendin e saj si një komb kulturor, i cili shkon përtej madhësisë së tij dhe rëndësisë politike dhe ekonomike...Si një vendas nga Salzburgu, kuptohet se Moxarti është i preferuari im. Por ka artistë të tjerë kontemporanë të famshëm dhe të tjerë artistë të rinj me potenciale të mëdha në fusha të ndryshme si letërsi, kinema, pikturë, xhaz e të tjera. Ne duam t'i sjellim ato në Shqipëri dhe t'u ofrojmë atyre një platformë për të paraqitur punën e tyre”, shprehet Schnöll. Është me të vërtetë ngazëllyes fakti që kultura shikohet si aset në marrëdhëniet mes dy vendeve, sidomos po të mbajmë parasysh rrëgjimin e madh intelektual që ka prekur Shqipërinë dhe sidomos një lloj merkantilizimi që është vendosur në raportin me të cilin një pjesë e madhe e shqiptarëve shikojnë të huajt, por edhe Europën si destinacion. Schnöll është këmbëngulës në këtë drejtim, teksa pyetjes se “cila eksperiencë personale, personalitet apo ngjarje ka pasur efektin më të madh tek ju dhe tek marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Austrisë”, ai i jep këtë renditje: “Së pari, në kontekstin historik, do të përmendja rolin dhe mbështetjen e perandorisë Austro-Hungareze në procesin e shtetformimit të Shqipërisë. Së dyti, shkolla jonë e suksesshme në qytetin e Shkodrës, e cila i pajis të rinjtë shqiptarë me një arsimim të thellë në fushën e inxhinierisë. Së treti, festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të organizuara në vitin 2012 dhe ekspozita ku u shfaqën shpata dhe helmeta e Heroit Kombëtar, Skanderbeg, të sjella nga Vjena në Tiranë..”.
Më shumë në: http://www.balkanweb.com/intervista/2688/ambasadori-i-ri-austriak-lufta-anti-korrupsion-kerkon-vite-171460.html
s.z
Add new comment