Luftë e madhe për (pa)varësinë e institucioneve

Postuar në 20 Shkurt, 2014 05:10

 

Seanca e sotme plenare ka nisur me debate lidhur me shkarkimin para dy ditësh në Komisionin Parlamentar të Ligjeve të kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Zana Xhuka. Përfaqësues të Partisë Demokratike, si Sali Berisha dhe Jozefina Topalli kanë deklaruar se shkarkimi i saj bëhet në mënyrë që qeveritarët të mundet të fshehin pasuritë e tyre dhe të mos i deklarojnë. “Ky është puç ndaj institucioneve të vendit. Turp, me këtë akt po sakrifikoni statusin. Ky është një akt i shëmtuar nga ana juaj, ju jeni përgjegjës për këtë akt. Një kryetar parlamenti nuk vepron siç vepron ti me vullnet patologjik për të prishur këtë parlament, por dhe të jeni të bindur se do të përgjigjemi në mënyrë adekuate. Ti fut në rend dite çështje kaq kapitale pa ia paraqitur kryesisë së Parlamentit, por këtë s’mund ta bësh kurrë, s’mund të sillesh sikur parlamenti të jetë kopshti yt dhe i Edi Ramës. Dëgjo ti zoti ç’integrim. Ju vërtet sakrifikoni Zana Xhukën për pallatin e kryetarit tuaj, por ta dish që sakrifikon statusin e vendit kandidat, ju s’keni interes atë, por keni interes paratë tuaja”, ka deklaruar Berisha. Një akuzë kjo direkte ndaj përfaqësuesve të mazhorancës. Një pyetje që lidhet me këtë pretendim të opozitës është se përse znj. Xhuka nuk këmbënguli në punën e vet kur në qeveri ishte PD-ja? Kjo ka rëndësi, pasi qysh prej vitit 2003 e mbrapa, z. Berisha, qoftë në opozitë, qoftë në pushtet dhe qoftë tani, sërish në opozitë, akuzon drejtuesit e PS-së si miliarderë. Dhe në kaq vite politikë dhe drejtim shteti nuk ka bërë asgjë për të zbardhur aferat e përbindshme që artikulon apo edhe shumat marramendëse që thotë se socialistë të ndryshëm i kanë. Ndaj, ndoshta është më mirë që kjo e ILDKP-së të shihet si një përballje për "bahçet institucionale" të të dyja partive që sillen me institucionet e shtetit njësoj si konfliktet e pronësisë. Sepse edhe institucionet ndoshta i shikojnë, jo në bazë të parimeve kushtetuese, por në bazë të parimeve të ligjit nr. 7501, për frymë anëtarësie. Po me siguri që dikur do pendohen. Ja z. Berisha u dorëzua para pak ditësh, njësoj si Edi Rama që para një viti u tha shqiptarëve: “Më falni për ndryshimin e Kushtetutës. Gabimi im”.

s.z

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.