Rama: “Mbështesim Kosovën, por nuk do të flasim për çështje që duhen zgjidhur mes saj dhe Serbisë”

Postuar në 20 Shkurt, 2014 11:24

Gazeta “Zëri” në Kosovë ka zbardhur sot pjesën e dytë të intervistës me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ajo përfshin marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve, problemin e bllokimeve në dogana të mallrave si dhe çështjen e lehtësirave portuale për Kosovën. “Portet e Shqipërisë janë edhe të Kosovës”, është shprehur Edi Rama. Pjesa më përfaqësuese e kësaj pjese të dytë është ajo lidhur me vizitën e Edi Ramës në Beograd. Pyetjes nëse ai do të trajtojë apo jo problemin e Kosovës në takimet e veta me politikanët serbë, kryeministri i dha këtë përgjigje: “Kosova është një shtet i ri, një shtet më vete, është një shtet që di fare mirë t’i zgjidhë punët e veta dhe ajo se çfarë Serbia ka me Kosovën është çka i takon Serbisë dhe Kosovës ta trajtojnë me njëra-tjetrën. Ndërkohë që për sa i takon Shqipërisë, ajo thjesht dhe vetëm mbron me përpikëri dhe pa asnjë luhatje vijën e përcaktuar qartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nuk mund të ketë asnjë ndryshim në këtë qasje, sepse e përsëris se ka ikur koha kur Kosova ishte subjekt diskutimesh mes tjerësh, në pamundësi për të qenë subjekt vetëvendosës. Kosova është krejtësisht e barabartë në raport me gjithë të tjerët dhe si e tillë edhe duhet trajtuar”. Çka do të thotë, nëse kuptohet drejtë, se Shqipëria sheh nga marrëdhëniet me Serbinë një mundësi bashkëpunimi që nuk ka pse të kushtëzohet nga çështja e Kosovës, tani që kjo e fundit është shtet më vete. “S’mund të përdoret Shqipëria për të folur për çështje që duhet të zgjidhen drejtpërdrejt mes Kosovës e Serbisë”, ka shtuar Rama. Kjo është edhe pikëpamja e shprehur pak kohë më parë nga ish-kryeministri Sali Berisha, që bënte thirrje që të mos trajtohej çështja e Kosovës në këtë vizitë, tani që kjo e fundit është shtet më vete. Ndonëse Shqipëria, siç shprehen politikanët, në çdo rast mbështet Kosovën. Për të kuptuar këtë lloj diplomacie, ndoshta do parë(megjithëse krahasimet çalojnë) edhe sesi vepron p.sh Serbia me Republikën Srpska, ose Greqia me Qipron greke, në mënyrë që të nxirret një konkluzion për atë sesi veprohet në politikën e jashtme kur vjen puna për zona ku pretendohen të drejta historike, apo ku përthyhen interesa kombëtare.

Më shumë në: http://zeri.info/artikulli/27276/te-gjitha-portet-jane-te-kosoves

s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.