Shqiptarët janë më optimistë

Një studim i fundit i Institutit Demokratik Kombëtar, arrin në përfundimin se shqiptarët janë më optimistë se në vendin e tyre do të ketë ndryshime pozitive sesa ç’ishin një vit më parë. Por Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore i kësaj organizate amerikane, Robert Benjamin thotë se që kjo shpresë të kthehet në realitet, zëri i qytetarëve duhet të reflektohet në zgjidhjen e problemeve që i shqetësojnë ata dhe politikanët duhet të lënë mënjanë konfliktet dhe të udhëhiqen nga interesi publik. Studimi i Institutit Demokratik Kombëtar, u krye në dhjetor të vitit 2013 në disa qytete të Shqipërisë me bashkëpunimin me Institutin për Studime dhe Alternativa Kërkimore (IDRA). Benjamin thotë se kur një anketë e ngjashme ishte bërë në vitin 2012, para zgjedhjeve, njerëzit ishin shumë pesimistë për gjendjen e tyre dhe të vendit, veçanërisht ekonomisë dhe për sa i takonte mundësisë për ndryshim. “Këtë herë mendoj se ka një farë hapësire për optimizëm. Ka disa shenja që njerëzit kanë ndjesinë që mundësia për ndryshim ekziston. Mendoj se kjo ka të bëjë me faktin që zgjedhjet sollën një ndryshim paqësor të pushtetit, pa konflike politike, pa kundërthënie, pa bojkotim dhe tani njerëzit janë gati të vazhdojnë me jetën e tyre”. Ai sqaron se ajo që nënkuptojnë njerëzit me ndryshim është kryesisht e lidhur me ekonominë dhe se ata duan të kenë shanse ekonomike, janë të shqetësuar për papunësinë e vazhdueshme, për rrogat e ulëta dhe çmimet e larta, si edhe për korrupsionin. “Pra megjithëse ka një ndjesi shprese mes shqiptarëve se gjërat do të ndryshojnë, ka edhe një lloj irritimi se këto çështje nuk po zgjidhen në mënyrë aq efektive sa ç’duan qytetarët”. Për zotin Benjamin kjo rritje optimizmi, që ai e quan të moderuar, është një shans që nuk ekzistonte gjatë pesë viteve të fundit, të shoqëruara me konflikte dhe bllokim politik. Por ai shton se për ta kthyer atë në realitet, qytetarët duhet të angazhohen, të marrin pjesë në diskutime publike, të futen në organizata të shoqërisë civile, të anëtarësohen në parti politike dhe të bëhen pjesë e jetës politike.Lajmi i plotë: http://www.zeriamerikes.com/content/ndi-albania/1856416.html S.S
Add new comment