Emra surprizë në qeverinë “Renzi”. Ekonomia italiane në dorën e ish-kreut të FMN për Shqipërinë

Kryeministri i ri i Italisë ka zgjedhur tashmë ekipin e tij qeverisës ku suprizon fakti se gjysma e tyre janë gra. Mediat italiane bëjnë me dije se kabineti i drejtuar nga Matteo Renzi do të ketë 16 anëtarë. Referuar listës së medias fqinje, poltrona më e “nxehtë”, ajo e Ekonomisë do të mbahet nga Pier Carlo Padoan, që mban prej një muaji detyrën e kreut të Insitutit të Statistikave të Italisë. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme në qeveritë e mëparshme dhe në institucione financiare ndërkombëtare si Banka Botërore apo Banka Europiane. Në vitet 2000-2005, ai ka mbajtur detyrën e drejtorit ekzekutiv të FMN në Itali, duke pasur njëkohësisht në përgjegjësi edhe Greqinë, Portugalinë e madje edhe vendin tonë, Shqipërinë.
Periudha 2000-2005 ka qenë një periudhë e rëndësishme për ristrukturimin e ekonomisë shqiptare pas problematikave të vitit 1997 dhe një periudhë në të cilën Fondi Monetar Ndërkombëtar ka luajtur jo pak rol në këshillimin e qeverisë shqiptare. Madje lehtësisht, përmes kërkimit në bazën e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mund të gjenden edhe raportet e kohës për Shqipërinë që mbajnë firmën e tij. Padoan ka vizituar disa herë Shqipërinë gjatë kohës që ka mbajtur këtë detyrë.
Ndërsa përsa i përket ministrisë së Mbrojtjes, Italia duket se ka zgjedhur shembullin shqiptar, atë të vendosjes së një gruaje në krye të forcave të armatosura. Roberta Pinotti është ministrja e re e Mbrojtjes së Italisë, pas detyrës së Nënsekretares për Mbrojtjen që ka mbajtur në qeverinë e drejtuar nga Letta. Pinotti është zgjedhur më parë deputete në Parlamentin Italian dhe është e para femër në Itali që ka drejtuar Komisionin e Mbrojtjes.
Përbërja e kabinetit të ri qeveritar të Italisë:
Kryeministër-Matteo Renzi
Ministër i Ekonomisë-Pier Carlo Padoan
Ministër i Brendshëm-Angelino Alfano
Ministre e Jashtme-Federica Mogherini
Ministër i Drejtësië-Andrea Orlando
Ministre e Mbrojtjes-Roberta Pinotti
Ministre e Zhvillimit Ekonomik-Federica Guidi
Ministër i Transportit-Maurizio Lupi
Ministre e Shëndetësisë-Beatrice Lorenzin
Ministër i Politikave Bujqësore-Maurizio Martina
Ministër i Ambientit-Gianluca Galletti
Ministër i Punës-Giuliano Poletti
Ministre e Arsimit-Stefania Giannini
Ministër i Kulturës-Dario Franceschini
Ministër për Parlamentin-Maria Elena Boschi
Ministre e Administrimit Publik-Marianna Madia
Ministre për Çështjet Rajonale-Maria Carmela Lanzetta
k.k
Add new comment