Post-Yanukovich – Sinjale separatizmi nga rusët e Krimesë

Mediat ndërkombëtare njoftojnë për një situatë shumë delikate në Ukrainë, pak ditë pasi Presidenti Viktor Yanukovich u largua nga pushteti. Kështu sot, ndërkohë që Ministria e Brendshme ka bërë të ditur shpërbërjen e njësisë policore “Berkut” që konsiderohet përgjegjëse për vrasjet në Kiev, në Krime, e cila gëzon autonomi brenda Ukrainës, protestat kanë nisur duke vënë përballë përkrahësit e një Ukraine me Europën, kundrejt filorusëve. BBC-ja bën me dije se në Simferpol, Tatarët e Krimesë dhe ukrainasit janë bashkuar kundër rusëve etnikë që përbëjnë shumicën në gadishull. Sipas BBC-së rreshtimi i tatarëve myslimanë me ukrainasit lidhet me kujtimet e tyre me periudhën staliniste. Gjithsesi çështja është shumë delikate edhe sepse media britanike ka vënë në listën e shqetësimeve një problem siç janë të drejtat navale të Rusisë në Sevastopol. Një kërkesë për largim do të thoshte betejë me Rusinë, kurse një vazhdim i prezencës së saj në Krime, do të thotë destabilizim i vazhdueshëm. Perëndimi duket se po vë në lëvizje opsionet e veta teksa ish-presidentët Leonid Kravchuk, Leonid Kuchma dhe Viktor Yushchenko kanë dënuar atë që e kanë quajtur “ndërhyrja ruse në politikën e Krimesë”. Kësaj i do shtuar edhe fakti se Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar stërvitje në distriktin perëndimor të Rusisë në kufi me Ukrainën. BBC-ja sjell edhe dy të dhëna jo pa rëndësi në situatën aktuale: së pari se Krimea u transferua nga Rusia drejt Ukrainës në vitin 1954 dhe së dyti se në vitin 1994, Rusia, SHBA-të, Franca dhe Britania e Madhe u zotuan për integritetin territorial të Ukrainës përmes një memorandumi.
Më shumë në: http://www.bbc.com/news/world-europe-26354705
s.z
Add new comment