Tërhoqi 221 mijë euro nga banka brenda një viti, në hetim 25-vjeçarja

Një 25-vjeçare është marrë nën akuzë nga policia vendore dhe Zyra Kundër Krimit Ekonomik, pasi sipas një raporti të bankës rezulton se ka tërhequr mbi 220 mijë euro pa treguar origjinën e parave. Burime zyrtare thanë se e dyshuar është vajza me inicialet A. K., banuese në lagjen “11 Nëntori” të qytetit të Elbasanit, e cila sipas verifikimeve të kryera, në harkun kohor të një viti, ka tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë një sasi jashtëzakonisht të madhe parash, e cila ka çuditur edhe punonjësit e këtij filiali. Sipas policisë, 25-vjeçarja është bërë kliente e Bankës nr. 1, vetëm pak kohë më parë dhe nga veprimet e kryera gjatë periudhës dhjetor 2012-dhjetor 2013, ka përfituar 13 çeqe në vlerë totale 221.857 euro, raporton gazeta “Dita”. E dyshuara nuk ka dhënë sqarime për origjinën e këtyre parave, ndërkohë që policia po heton personin që ia ka kryer rrjedhjen në llogari. Dyshohet se bëhet fjalë për një pastrim parash nga aktivitete kriminale që janë nën investigim të organeve ligjzbatuese. Madje policia po heton për akuzën “pastrim i produkteve të veprës penale” bashkë me prokurorinë. Nën akuzë është marrë edhe 38-vjeçarja Z. Gj., banuese në lagjen “Skënderbej”, pasi ka blerë nga A. D., dy apartamente me vlerë 20740 euro dhe 36260 euro, ku pagesa është bërë jashtë zyrës noteriale dhe paratë janë deklaruar hua, por pa origjinë. S.S
Add new comment