Raporti i zyrës së Kombeve të Bashkuara: Shqipëria risk në rritje për fatkeqësitë natyrore. Në 162 vite 4000 fatkeqësi, 75 % e tyre 20 vitet e fundit

Postuar në 12 Mars, 2014 12:18

Një raport i publikuar pak ditë më parë nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Riskut të Fatkeqësive (UNISDR) tregon se Shqipëria është një vend me probabilitet në rritje për t’u prekur nga fatkeqësi natyrore. Një ekip i kësaj zyre ka studiuar dhe regjistruar të gjitha fatkeqësitë natyrore të ndodhura në vendin tonë në 162 vitet e fundit. Rezultatet e këtij studimi dëshmojnë nevojën për marrjen e masave për reduktimin e pasojave. Referuar raportit, “më shumë se 4.000 ngjarje të tilla janë regjistruar në Shqipëri në periudhën nga viti 1851 deri në vitin 2013. 74% e ngjarjeve janë regjistruar në 20 vitet e fundit, me një mesatare prej 159 ngjarjesh çdo vit. Më shumë se 95% e komunave shqiptare janë prekur së paku nga një fatkeqësi. Shqipëria është vulnerabël ndaj katastrofave gjeofizike, hidrologjike, meteorologjike, klimaterike dhe teknologjike. Eventet meteorologjike janë më të zakonshmet (33% të totalit), të ndjekura nga ato klimaterike (22%), hidrologjike (21%) dhe shkarjet e dheut (14%). Këto 4 lloje fatkeqësish zënë 90% të totalit të ngjarjeve të periudhës së marrë në analizë. 10% e totalit të ngjarjeve janë për shkaqe gjeofizike, biologjike dhe teknologjike” thuhet në raport. Më tej, raporti analizon pasojat e këtyre ngjarjeve, ku sigurisht pas jetëve njerëzore të humbura, ka edhe një kopsto ekonomike të konsiderueshme. “Në 20 vitet e fundit më shumë se 690.000 persona janë prekur nga fatkeqësitë me një mesatare prej 34.000 të prekurish në vit. Shuma e përgjithshme e dëmit të konstatuar në 20 vitet e fundit arrin në 92 milion dollarë, me një mesatare vjetore prej më shumë se 500 milionë lekë në vit (0.026 % e mesatares 20 vjeçare të Prodhimit të Brendshëm Bruto). Fatkeqësitë gjeofizike janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve nga këto ngjarje (50% e totalit të vdekjeve). Ato ndiqen nga eventet hidrologjike me 18% të vdekjeve. Ngjarjet gjeofizike janë gjithashtu fatkeqësitë që prekin më së shumti banesat dhe përllogaritet se ato shkaktojnë 68% të totalit të dëmeve ndaj ndërtimeve, të ndjekura nga eventet hidrologjike me 27 %” vijon raporti.

 

Raporti i plotë në anglisht: http://www.unisdr.org/files/36736_36736historicalcollectionofdisaster.pdf

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.