Tirana s’ka vend për varre, bashkia: Qeveria ta zgjidhë. MB: Po bëni politikë me varrezat

Postuar në 12 Mars, 2014 17:18

Ruaju mos vdis sot se nuk ke ku të varrosesh. Bëhet fjalë për Tiranën vetëm. Kjo sepse Ndërmarrja e Shërbimit Funeral njoftoi sot zyrtarisht ezaurimin e të gjitha hapësirave edhe në varrezën e Tufinës, pasi në atë të Sharrës janë ezaurur prej kohësh.

Bashkia e Tiranës pohon në një deklaratë për shtyp se, prej muajsh, shqetësimi i është përcjellë qeverisë shqiptare. “E cila vazhdon të mos e marrë në konsideratë këtë shqetësim të qytetarëve të Tiranës. Mungesa e vendimit të qeverisë që i hap rrugën shpronësimit për interes publik bën të pamundur vazhdimin e kryerjes së ceremonive mortore në të dy varrezat publike të Tiranës në Sharrë dhe Tufinë”. 

Bashkia i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë sa më parë në zgjidhjen e kësaj situate. “Duke shprehur keqardhjen për situatën e krijuar, i kërkojmë qeverisë të ndërhyjë sa më parë në zgjidhjen e kësaj problematike të krijuar nga bllokimi i saj”. 

MB: VONESAT TRASHËGIMI NGA QEVERIA E SHKUAR, BASHKIA PO BËN POLITIKË ME VARREZAT

Ministria e Brendshme ka fajësuar qeverinë e shkuar për zvarritjen e procesit për shpronësimin e tokave për varreza. “Ministria e Punëve të Brendshme, nisur nga ndjeshmëria që shkakton mungesa e vendeve në dy varrezat publike të Tiranës, sqaron opinionin publik se ka ndjekur me përgjegjësi të plote dhe vijon te jete e angazhuar për zgjidhjes e shpejtë të problemit.

Duhet të bëjmë me dije opinionin publik, se çdo vonesë në këtë proces, është pjesë e trashëgimisë së qeverisë së shkuar, e cila ishte më e shqetësuar të kthente SHQUP-in në seli Partie sesa të merrej me shpronësimin e tokës për varrezat publike.”- sqaron MB. 

Sipas Ministrisë së Brendshme dosja për shpronësimin e tokës së varrezave publike është dorëzuar nga Bashkia e Tiranës në Ministrinë e Punëve të Brendshme në muajin Qershor 2013, kohë kur Ministria drejtohej nga opozita aktuale. MB thekson se administrata e kaluar në Ministrinë e Brendshme, nuk e mori asnjëherë në shqyrtim dosjen.

“Me ardhjen e Qeverisë së re, duke njohur rëndësinë e çështjes, kërkesa e Bashkisë së Tiranës nisi shqyrtimin me precedencë. Komisioni i Shpronësimeve, ngritur pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi mori në shqyrtim dosjen e dorëzuar, ia ktheu Bashkisë së Tiranës për plotësim, pasi u konstatua mangësi e theksuar dokumentacioni dhe procedurash ligjore si për shembull:

• vendimi i Këshillit Bashkiak ishte i pafirmosur dhe pa numër vendimi;
• mungonte konfirmimi nga institucioni i Prefektit;
• dokumentacioni ishte i pafirmosur nga ane kryetarit të Bashkisë, etj.

Gjithashtu sqarojmë se në dosjen e hartuar nga Bashkia e Tiranës nuk kishte asnjë dokument që provonte se ishin kryer negociata apo marrëveshje paraprake me pronarët që do të shpronësoheshin.”- thuhet në reagim.

Ministria e Brendshme thekson se dosjet i janë dërguar Bashkisë së Tiranës për plotësim që në datë 30 dhjetor 2013, ato janë plotësuar dhe rikthyer pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme vetëm në datë 30 janar 2014.

“Në datë 14 shkurt është lidhur marrëveshja me Bashkinë e Tiranës për nisjen e procedurave të shpronësimit dhe në datë 27 shkurt, sipas parashikimit të afateve ligjore, nisi publikimi në media i njoftimit për palët e interesuara, që janë pronarët e ligjshëm të tokës.

Aktualisht jemi në fazën e pritjes së ankimimeve të pronarëve të truallit që do të shpronësohet.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar projekt-vendimin për shpronësimin e pronarëve të truallit dhe brenda një kohë të shkurtër do të paraqitet për miratim në Qeveri. Draftit do t’i bashkëngjiten edhe ankimimet e pronarëve të tokës, të depozituara pranë Ministrisë.”- sqarohet nga Ministria e Brendshme.

Sipas kësaj ministrie në qoftë se edhe Bashkia Tiranë do punonte me ritmin që punon kjo qeveri për qytetarët, ky problem sot nuk do ishte, e as Bashkia Tiranë nuk do kishte motiv për të bërë politikë edhe me varrezat. 

BASHKIA: PRETENDIMET E MB JUSTIFIKIME DHE GËNJESHTRA
Bashkia e Tiranës ka hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Brendshme se vonesa për zgjidhjen e çështjes së varrezave është shkaktuar nga bashkia. Sipas këtij institucioni pretendimet e Ministrisë së Brendshme janë justifikime dhe gënjeshtra. Sipas bashkisë nga muaji shtator deri në muajin dhjetor Ministria e Brendshme heshti ndaj kërkesave. 

“Pretendimet e MB janë thjesht justifikime dhe gënjeshtra. Që nga shtatori deri në dhjetor ministria heshti ndaj kërkesave të vazhdueshme zyrtare dhe mediatike të bashkisë.Në dhjetor letra e ministrisë nuk ishte gjë tjetër veçse dëshmi e paaftësisë dhe panjohurisë së tyre për procesin.”- thuhet në reagimin e bashkisë. 

Bashkia thekson se i sqaroj zyrtarisht dhe në takime të posatçme zyrtarët e rinj që kërkesat e tyre ishin joligjore. “Bashkia Tiranës i sqaroi zyrtarisht dhe në takime të posaçme zyrtarët e rinj, që kërkesat e tyre ishin joligjore. Pasi e kuptuan se kërkesat e tyre ishin absurde, u tërhoqën nga kërkesat dhe na kërkuan të procedojmë. 

Sërisht korigjuam paaftësinë dhe paditurinë e tyre duke u kujtuar procedurat ligjore që duhet të ndiqnin. Sot, paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe tendencën për bllokim po e vuajnë qytetarët e Tiranës.”- theksohet në reagimine bashkisë.

(d.b/a.n/BalkanWeb)

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Digjini.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.