Meta: Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e debatit për SHISH. PD: Kreu i LSI-së përgjegjësi i shkeljes së konsensusit politik

Kreu i LSI-së nuk preferon të bëhet pjesë e debatit për SHISH. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se, ka një protagonizëm të tepruar mbi këtë çështje.
“Lidhur me debatin e SHISH-it unë nuk do të dëshiroja të bëhesha pjesë e tij. Në bindjen time protagonizmi i tepruar në këtë çështje, nuk i shërben qëllimit të përbashkët të të gjithë aktorëve publikë, për të rritur efikasitetin e punës së këtij shërbimi të rëndësishëm për të rritur sigurinë e vendit, në rritjen e luftës ndaj terrorizmit. Prandaj shpresoj dhe inkurajoj të gjithë aktorët të sillën në mënyrë sa më të përmbajtur dhe institucionale kur bëhet fjalë për një çështje të tillë”, tha Meta.
Dalja e Metës në këtë konferencë për shtyp kishte për qëllim të ftonte opozitën që të bëhet pjesë e reformës territoriale. “Unë mendoj se Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale të vihet plotësisht në punë në mënyrë që të arrijmë edhe me aleatët tanë ndërkombëtarë që po e mbështesin këtë reformë që shumë shpejt të kemi një produkt konsensual në kohën e duhur “, tha ai.
Por një qëndrim i tillë nuk i ka pëlqyer aspak Partisë Demokratike. Deputeti i saj, Arben Ristani në një reagim tha se, Meta është përgjegjës për shkeljen e konsensusit politik.
“Ilir Meta është përgjegjës për kapjen e institucioneve, shkarkimet në administratë, shkeljen e konsensusit politik, sulmet ndaj opozitës dhe refuzimit të statusit për Shqipërinë”, tha Ristani. “Pas toneve dhe thirrjeve kinse të moderuara, fshihet Ilir Meta i vërtetë, iniciator dhe garant i sulmeve kundër institucioneve të pavarura, si ILDKP, AMA, SHISH. Përtej fjalëve të dala boje, fshihet Ilir Meta i vërtetë, i cili ka interesat e tij klienteliste për kapjen e institucioneve dhe forcimin e pushtetit të tij personal.”
S.S
Add new comment