Analistët, të ndarë për takimin Rama-Basha. Lela, Zheji, Vasjari, Fevziu, Minxhozi dhe Baze, “pro” dhe “kundër” takimit

Letërkëmbimi publik mes kreut të mazhorancës dhe atij të opozitës, rreth një takimi të mundshëm për të diskutuar mbi reformën territoriale, ka ndarë në qëndrime të ndryshme analistët e medias shqiptare. Pak ditë më parë, Alfred Lela shkruante te “Mapo” rreth këtij takimi, duke mbështetur tezën se Basha duhej t’i thoshte “PO” takimit të kërkuar nga Rama. Lela jep 5 arsye se pse përgjigjia e liderit të opozitës duhej të ishte pozitive, mes të cilave “nevoja për të dalë nga rrethimi i përhershëm i jo-së dhe refuzimi i kundërshtarit apo të parit si armik të tij”, “për të kryer një lëvizje taktike që i heq atij dhe formacionit që drejton hijen e dyshimit të madh e të mbrapshtë të një flirti konstant ose të një dere që fut në kështjellë çetën e Metës, LSI-në” apo edhe “për të qenë në koherencë me veten dhe profilin e tij politik” (http://mapo.al/2014/03/24/ja-pese-arsyet-pse-basha-duhet-te-thoshte-po/).
Po në “Mapo”, ndryshe nga Lela, një analist tjetër, Arian Vasjari shfaqet skeptik rreth arsyes së takimit. Sipas tij “Reforma administrative, përveçse nuk përbën realisht shqetësim të mirëfilltë politik për asnjërin prej tyre, nuk mund të konsiderohet si një arsye e qenësishme për t’u takuar”. Më tej, në shkrimin e tij, Vasjari thotë se personalisht beson se nuk ka ndonjë kontekst politik të atillë që provokon nevojën e një takimi mes tyre. “Jemi në kufijtë e papërcaktueshëm mes normalitetit dhe anormalitetit demokratik, por kjo nuk përbën ndonjë “risi” për ne. Thjesht po kalojmë në një fazë të re ambientimi të çrregullimeve tona. Aq më pak do të përligjte një takim Rama-Basha preteksti i reformës administrative. Jo vetëm për shkak të natyrës kryesisht teknike të kësaj lloj reforme, por mbi të gjitha, për shkak të mungesës së sinqeritetit rreth arsyeve reale përse duhet të takohen. Kjo do ta bënte takimin mes tyre një fasadë demokratike vezulluese, por jo një moment pjekurie demokratike. Do kenë kohë dhe rast për ta provuar këtë. Vetëm pak durim. Ndërkaq, le të takohen. Dëm nuk bën. Por, arsye nuk kanë!” shkruan Vasjari(http://mapo.al/2014/03/26/takimi-rama-basha-si-pretekst-dhe-jo-si-arsye/).
Pas këtyre qëndrimeve të shprehura te “MAPO”, gazetari Blendi Fevziu shkruan te “Panorama” mbi arsye se pse Basha dhe Rama nuk duhet të takohen. “Historia politike post komuniste shqiptare ka shënuar një seri takimesh të tilla. Takime që, më shumë se sa bashkëpunimin dhe dialogun si koncept të shoqërisë, kanë nxitur filozofinë e liderëve që në rolin e Mujit dhe Halilit, takohen dhe përplasin kryet për të sheshuar problemet mes tyre. Por problemet nuk janë probleme të liderëve por probleme të shoqërisë. Nuk besoj që Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë ndonjë problem personal mes tyre. Në rrethana të tjera mund të kishin qenë edhe dy çuna të mirë, që mund të uleshin për të folur apo për të kthyer ndonjë gotë birrë të ftohtë. Por sot ata përfaqësojnë dy filozofi politike që janë shumë larg njëra tjetrës. Dhe që nuk mund të përafrohen me takimin e dy liderëve, por me ndryshimin e filozofisë së forcës politike që drejtojnë në rradhë të pare” shkruan Fevziu. Ndër të tjera, ai argumenton se aktualisht një takim Basha – Rama do të shërbente vetëm dhe thjeshtë si një reklamë mediatike, më së shumti për Ramën, por pse jo edhe për Bashën. Sipas Fevziut, ky takim do t’i shërbente Ramës për të dëshmuar se është një lider ndryshe, që konsultohet me opozitën edhe pse i ka numrat në Kuvend ndërsa Bashës do t’i shërbente si rikonfirmim për rolin e tij si kryetar i Partisë Demokratike. “Do të ngjiteshin të dy një vitrinë të bukur prej nga do shijonin kuriozitetin mediatik dhe vëmendjen e shoqërisë, por që në thelb nuk do të zgjidhnin asgjë. Ramës takimi do t’i shërbente për të dëshmuar stilin e një lideri ndryshe; të një lideri që në kontrast me Berishën e para një viti, edhe pse i ka numrat të plotë, konsultohet me opozitën; do t’i shërbente për t’i dëshmuar Brukselit se palët janë ulur të gjejnë një zgjidhje edhe pse zgjidhja në vetvete nuk ndryshon filozofinë e marrëdhënieve pozitë – opozitë. Bashës mund t’i shërbente si një rikonfirmim në rolin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike, së paku mediatikisht dhe në krijimin e një ideje që ai është vendimmarrësi real në atë parti. Por nuk mendoj se Basha ka nevojë të luftojë me paranojat që mund të ekzistojnë në media apo edhe në forumet drejtuese të partisë së tij” vijon Fevziu. Në rast se takimi do të synonte trajtimin e një pakete për përmirësimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pozitë-opozitë, sipas Fevziut, atëhere çështja do të ndryshonte pasi do të ishte një tentativë reale që synon zgjidhjen e thelbit të konfliktit dhe jo një detaj të tij siç është reforma territoriale. “Nëse reforma territoriale duhet bërë, nëse ajo i shërben vendit, atëherë palët s’kanë nevojë të takohen as me 4 dhe as me 8 palë sy. Nëse gjykojnë që i duhet Shqipërisë mund ta bëjnë pa shou” shkruan më tej Fevziu (http://www.panorama.com.al/2014/03/26/perse-sduhet-te-takohen-rama-e-basha-ne-kete-rast/).
Ndërsa sot, po të “Mapo”, është botuar një replikë e Artur Zhejit. Duke marrë shkas nga shkrimet e Vasjarit dhe Fevziut, Zheji shfaqet “pro” një takimi mes Ramës dhe Bashës dhe shpjegon se pse nuk bie dakord me qëndrimet e dy kolegëve. “Ndryshe nga ata, mendoj se ‘Takimi’ i liderit të Shumicës dhe liderit të Pakicës, brenda dhe jashtë kontekstit të reformës territoriale, të cilën me një ‘lapsus’ frojdian Fevziu e mbiquan ‘reformë elektorale’, sepse në të vërtetë edhe e tillë është mbasi hyn në fuqi, ky ‘Takim’ pra, dhe takime të këtij lloji dhe niveli, janë vetëm një e mirë publike. Një e mirë publike që duhet inkurajuar. E me këtë rast e në radhë të parë, këto hapa duhen inkurajuar nga partia e pashpallur e të moderuarve të opinionit publik, ku unë mendoj se bëjnë pjesë edhe Fevziu edhe Vasjari. Sepse edhe nëse ky takim nuk pjell beben e dëshiruar konsensuale, së paku shkrin akujt dhe zbyth qëndrimet e vëngërta dhe luftarake të palëve të ndërsyera. Dhe, le ta themi një herë të vetme krejt pa takt edhe shqeto fare, që ky konfliktualitet mbi baza krejt egoiste, është shndërruar në një çarje ‘trapi’ rraskapitëse që vazhdon me dhjetëvjeçarë” replikon Zheji. (http://mapo.al/2014/03/27/rama-dhe-basha-duhet-te-takohen/).
Pro takimit Rama-Basha është shprehur edhe Skënder Minxhozi i cili vlerëson se tryeza e dy liderëve është “një tryezë që u duhet të dyve”. “Ramës nuk i duhet një reformë e nisur dhe e konkluduar vetëm me votat e tij. Nuk është në filozofinë që predikoi para zgjedhjeve, për bashkëpunim të gjithanshëm me opozitën. Nuk është as në leverdinë e tij, për momentin delikat që kalon qeverisja e majtë, në këtë dimër gri. Nëse kjo është pamja e tryezës, nga ana ku do të ulet Edi Rama, panorama nuk duket më e pakëndshme, as nga poltroni ku pritet të ulet Lulzim Basha. Pasi edhe kryetari i PD-së duket se ka një nevojë po aq të prekshme sa Kryeministri, për një akt bashkëpunimi me palën tjetër….Një negociatë direkte me Ramën, do t’i jepte jo vetëm më shumë legjitimim vetë Bashës, por do ta evidentonte kryetarin e ri të partisë si pjesë të zgjidhjes, jo si pjesë të problemit. Një tryezë Rama-Basha, do të ishte antipodi më i lexueshëm i stilit luftarak e sherrxhi, që ka përdorur Berisha ndaj mazhorancës në Kuvend, prej shumë javësh. Në një optikë më të gjerë, ulja e Bashës përballë Ramës, do të qe një gjest që ta fuste edhe më tej në krizë, kulturën e vjetër politike të konfliktit të përjetshëm, e cila përfaqësohet nga ish-kryeministri…” shkruan ndër të tjera Minxhozi te “Shqip” (http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/03/26/nje-tryeze-qe-u-duhet-te-dyve/).
Ndërkohë, Mero Baze të “Tema” ka analizuar veçmas letrën e Ramës dhe përgjigjen e Bashës. Duke iu referuar letrës që Rama i bëri Bashës për takimin “sy me sy” për reformën territoriale, Baze shkruan se kjo letër është në fakt” një test mbi ndarjen territoriale në PD”. “Edi Rama ka ftuar Lulzim Bashën në një takim “sy më sy”, siç e ka quajtur ai, jo aq shumë për t’i dhënë fund hezitimit të opozitës për të vendosur për të marrë pjesë në reformën territoriale, por për të kuptuar a ka një kundërshtar të qartë në opozitë, apo është duke folur me hijen e Sali Berishës….Dhe përgjigjia e Bashës nuk zhgënjeu askënd. Ai nuk ka ndërmend të pretendojë asnjë pjesë nga territori i Berishës brenda PD. Nuk ka ndërmend të bëjë asnjë takim pa leje. Hë për hë i mjafton kartëvizita. Territorin, kur t’ia shesë pronari…”shkruan ndër të tjera Baze( http://www.gazetatema.net/web/2014/03/22/rama-test-mbi-ndarjen-territoriale-ne-pd/). Duke iu referuar përgjigjes së Bashës, Baze e cilëson si një “hap përpara” edhe pse që në titull e cilëson si “hap të dështuar”. “Lulzim Basha i tha “Po” takimit me Ramën dhe “Jo” konsensusit për ndarjen administrative. Në përgjigjen e tij për Edi Ramën, ndryshe nga qëndrimi i Partisë Demokratike diiën e shtunë, Lulzim Basha e ka injoruar formalitetin e takimit “Sy më sy” si diçka pa shumë rëndësi, por i ka kërkuar Edi Ramës që ky i fundit të japë konsensus për problemet e opozitës, duke thënë shkurt se ka një “Po” të kushtëzuar për reformën.a pa shumë rëndësi, por i ka kërkuar Edi Ramës që ky i fundit të japë konsensus për problemet e opozitës, duke thënë shkurt se ka një “Po” të kushtëzuar për reformën. Pavarësisht kësaj, pranimi i Lulzim Bashës për t’u takuar me Edi Ramën, është një hap përpara në vendimmarrjen e tij si kryetar i PD. Ndryshe nga fryma e Berishës, që përshkonte deklaratën e së shtunës, letra e Bashës ishte një hap përpara. Ajo tentonte të kishte arsyet e veta për mosdhënien e konsensusit dhe ishte e formuluar në një mënyrë që të mos dukej si kopje e deklaratave të Berishës. Pra, lajmi i vërtetë është se kemi një hap përpara nga Lulzim Basha drejt kreut të PD, dhe një hap të dështuar drej konsensusit me shumicën” shkruan Baze (http://www.gazetatema.net/web/2014/03/24/nje-hap-i-deshtuar-perpara/).
k.k
Add new comment