Porto Eda, Sazani, terxhumani, 83 mandatet dhe Puthja e Bythës së Donaldit

Postuar në 21 Janar, 2026 23:46
Skerdilajd Zaimi

 

Shumëkush ndoshta kujton se kur në prill 1985 vdiq Enver Hoxha, përveç orkestrimit kolektiv të lotëve dhe qarjeve  në masë publikisht(shumë edhe realisht të prekur) nisi një valë celebrimesh gjithfarëshe me shkrime, letra mbledhjesh. Në shkolla tetë vjeçare u dha direktiva që nxënësit të bënin poezi për Enverin. Nisi kështu një përpjekje poetike dhe poetizimi e pashoqe që kuturiste të ungjillizonte një njeri në fron e kujtesës emocionale kombëtare.

Kanë kaluar 40 vjet por asgjë nuk ka ndryshuar. Kultura e panegjirikut është e vetvetishme: këngë për çdo tunel e rrugë, apologji për çdo marrëzi evidente. Sot tema është pasuruar, sepse Shqipërinë e ka begenisur “një princeshë”. Ivanka Trump quhet. Vargjet për të i ka qëndisur një rapsod nga Kosova; Berat Buzhala që na rrëfen me një lirikë babaxhane se çfarë haberi është ky.

...Për shkak të ndikimit të Kastratëve, Ivanka, kohë më parë, publikonte në rrjetet sociale postime me libra për historinë e Shqipërisë, e po ashtu publikonte edhe foto nga Shqipëria.

Në këtë kohë paqartësie të madhe politike, kur secili shtet po lufton për interesin e vet, shqiptarët janë me fat që kanë arritur ta krijojnë një lidhje kaq të afërt me këtë familje.

Unë jam i bindur se këto raporte dhe këto komunikime do të ndikojnë pozitivisht edhe në epilogun e krerëve të UÇK-së në Hagë.

Sonte, kryeministri Rama ishte në darkë me njerëzit më të afërt të Presidentit Trump. Ishte një telefonatë larg komunikimit me Donald Trump-in, i cili ndodhet gjithashtu në Evropë, në Davos

Këto zhgarravit ky ish-deputet që na kujton se ajo poezia e paharrueshme “Shoku Kinez” ka taban të shtruar mirë. Buzhala shkrojti pas Baton Haxhiut, të dy miq të pazëvendësueshëm të çdo lloj Amerike. Po e sjellim.këtu shokun kinez për Buzhalën: 

Ne nuk e kuptojmë hallin e Buzhalës: e ka te Shqipëria, te Trump, te Rama, pasi krushku i këtij sihariqi na qenka Shefqet Kastrati, me gjasë babai i Shqipërisë në këtë shekull. Përparimi nuk ndalet.

Nuk e kuptojmë pasi në fakt deri para pak kohësh Edi Rama dhe qs Kastrati para apo pas tij, nuk pipëtinte për ShBA. Zoti Rama tundte 83 mandatet që mesa duket nuk mjaftoni që ai ta bëjë gjumin të qetë. Përmbi 83 mandatet qëndron darka me Princeshën Ivanka të kurorëzuar nga Berat Buzhala në traditën më të mirë të oborrtarit, ndonëse zonjë është në Shqipëri për biznes. Ajo me të shoqin do marrë një ishull që të bëjë çfarë të dojë sepse Edi Rama ka marrë 83 mandate. Ne nuk do ta dimë ndonjëherë se çfarë do të jepet tjetër, pasi ne nuk jemi aty. Në atë darkë nuk është Shqipëria, madje asaj i ndalohet të hyjë. Ajo nuk është ftuar aty as t'i puthë bythën Donaldit sepse nuk i kanë lënë radhë...Ka shëbëtorë të devotshëm ky vend. 

Aty është Rama, Kastrati dhe Trump. Për punë pune, për hesapet e tyre dhe asgjë më shumë. Për iradenë e radhës për Edi Ramën që të mos i shqitet më këtij vendi me të mirë, e për të cilin do të gjendet përherë një Buzhalë që luan Terxhumanin.

Historia është njësoj; Porto Eda që iu dha dikur Çianos, një tjetër karagjoz i kapardisur i llojit Trump shkon sot në Sazan, me marifete që koha do t’i vërë në vendin e vet. Thjesht, askush të mos çuditet se nga buron urrejtja dhe dhuna që e pason në një botë arlekinësh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.