Akrepat 60 min para. Efektet që sjell ndryshimi i orës

Ditën e sotme akrepat e orës duhet t'i çojmë 60 minuta para. Kështu duke filluar nga sot, të gjithë do të flemë një orë më pak dhe do të zgjohemi më herët për të filluar aktivitetin e përditshëm. Ky ndryshim ore do t’i japë fund periudhës së orës diellore që zgjat për 5 muajt e dimrit. Me rikthimin e orës ligjore, deri më 25 Tetor 2014, do të kemi një orë më shumë dritë. Ditën e sotme p.sh, dielli do të perëndojë rreth orës 18:30, por falë hyrjes në fuqi të orës ligjore perëndimi do të jetë në 19:30. Të paktën në ditët e para që do të flemë një orë më pak, mund të kemi ndonjë shqetësim në ushqyerje ose gjendje lodhjeje.
Pothuajse të gjitha vendet e industrializuara kanë vendosur një rregull, sipas të cilit në hemisferën veriore të globit, ora ligjore nis në të Dielën e fundit të muajit Mars, ndërsa në hemisferën e jugut e njëjta datë shënon fundin e orës ligjore. Por, në këtë zgjedhje të vendeve të industrializuara, nuk përfshihet Japonia, e cila ka gjithnjë orën diellore. Po ashtu, edhe pjesa më e madhe e vendeve të Afrikës dhe Azisë mbajnë gjatë gjithë vitit orën diellore. Zhvendosja me 60 minuta para ose pas e akrepave nisi të bëhej thuajse i njëtrajtshëm në Europë nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Megjithatë mbi efikasitetin e këtij ndryshimi ka shumë debat.
k.k
Add new comment