Varreza murale edhe në Tiranë, nis ndërtimi në Tufinë

Në Tufinë ka nisur ndërtimi i varrezave murale dhe sipas projektit brenda vitit parashikohet që kryeqyteti t’i ketë këto varreza gati. Gazeta “Shqiptarja.com”, duke cituar burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës, shkruan se një kompani private ka fituar tenderin, dhe parashikohet ngritja e dy godinave të këtyre varrezave, të cilat do të jenë përballë njëra tjetrës, pikërisht në hyrjen kryesore të varrezave të Tufinës. Për këtë hapësirë, Drejtoria e Shërbimit Funeral ka marrë një shkresë ku i është kërkuar të mos kryejnë varrime në zonën që njihet edhe si hapësira e parkimit, e cila ndodhet në krahun e majtë të hyrjes kryesore. Sipas gazetës, aktualisht është duke u punuar për rikonstruksionin e gjithë sipërfaqes së varrezave, ndërkohë që faza e dytë do të jetë ajo e ndërtimit të varrezave murale. Sipas të dhënave aktualisht ka mbaruar azhornimi në terren i projektit, në mënyrë që të merren të gjitha informacionet dhe të përshtaten të gjitha punimet ndërtimore për zgjerimin e varrezave në Tufinë. Më pas do të nisë ndërtimi i varrezave murale të cilat parashikohen të jenë kuti me përmasa 40 cm me 70 cm. Projekti i varrezave murale ka një kosto prej 153 milion lekë që do të përballohen nga Bashkia e Tiranës me buxhetin e vitit 2014.
k.k
Add new comment