Vuçiç në DW: Serbët dhe shqiptarët duan paqe dhe punë. S’do dëgjoni nga unë ndonjë fjalë të keqe

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka dhënë një intervistë të zgjeruar për Dojçe Vele-n. Ish radikali tashmë i moderuar 180 gradë, ka folur edhe për Kosovën dhe marrëdhëniet me Hashim Thaçin. Ja ç’thotë ai:
“Nuk do t'u shmangem obligimeve të mia, sepse detyra jonë është që të flasim me shqiptarët e Kosovës. Ne themi dialogu Beograd – Prishtinë e shqiptarët thonë dialogu Kosovë – Serbi. Mund ta quani si të doni, sepse me rëndësi nuk është forma por përbërja dhe krijimi i mundësive që njerëzit të jetojnë sa më mirë. Ne kemi fituar më së shumti vota të serbëve në Kosovë e Metohi dhe kjo tregon se njerëzit atje janë të ngopur me parullat e mëdha të luftës. Njerëzit duan të jetojnë në paqe, duan punë. Mendoj se ne së bashku duhet të jemi të përkushtuar dhe të kërkojmë zgjidhje të problemeve. Edhe pse jo rrallë kemi pasur konflikte, nga unë nuk do të dëgjoni asnjë fjalë të keqe apo fjalë të rëndë për njerëzit e delegacionit shqiptar. Kjo është një punë shumë e rëndë për të dy palët. Shpresoj se gjithmonë do të mund të bisedojmë së bashku. Gjithmonë mund dhe duhet të flasim së bashku dhe shpresoj se shumicën e problemeve do t'i zgjidhim së bashku. Në radhë të parë në sektorin e ekonomisë. Gjatë bisedimeve në Bruksel ka pasur edhe detaje dhe anekdota interesante. Për shembull, për një temë jemi zënë shumë keq, nuk më kujtohem tamam cila temë ka qenë. Kur e pamë që gjërat nuk po lëvizin fare, atëherë unë dhe Thaçi filluam të flasim për ndihmat e BE. Unë propozova që BE të na japë para për ndërtimin e autostradës Nish – Prishtinë dhe të përfundojmë një projekt shumë të rëndësishëm. Thaçi menjëherë u lajmërua dhe tha: unë e mbështes propozimin e Vuçiçit, por duam para dhe jo seminare apo know how. Ndërsa Ashton tha: e shihni ju si merren vesh këta kaq shpejt kur Evropës duhet t'i merren para… Atmosfera u relaksua pak, por në fakt ne me të vërtetë presim që BE të na ndihmojë me projekte konkrete, sepse çështja e autostradave nuk është fare naive. Pse të mos fillojmë me gjërat që të dy popujve u mundësojnë një jetë më të mirë, me gjërat që mund ta forcojnë mirëbesimin dhe mbështetjen mes vete”.
Lexoni edhe në linkun: http://www.dw.de/aleksandar-vu%C3%A7iq-nga-un%C3%AB-nuk-do-t%C3%AB-d%C3%ABgjoni-fjal%C3%AB-t%C3%AB-keqe-p%C3%ABr-delegacionin-kosovar/a-17534036
a.k
Add new comment