Gjiknuri homologut grek: Me shumё rёndёsi aktivizimi i komitetit pёr ujёrat ndёrkufitare

Gjiknuri homologut grek: Me shumё rёndёsi aktivizimi i komitetit pёr ujёrat ndёrkufitare
Ministri i Energjisё dhe Industrisё, Damian Gjiknuri zhvilloi njё vizitё zyrtare nё Greqi ku u takua me Ministrin e Mjedisit, Energjisё dhe Ndryshimeve Klimaterike, Yannis Maniatis.
Dy ministrat u ndalёn nё çёshtje tё bashkёpunimit mes dy vendeve nё fushёn e energjisё. Me theks tё veçantё ishte diskutimi mbi projektin e gazsjellёsit Trans Adriatik (TAP).
Gjiknuri e konsideroi projektin e gazsjellёsit me rёndёsi thelbёsore edhe nё kuadёr tё forcimit tё marrёdhёnieve mes dy vendeve. Maniatis insistoi se ky ёshtё njё moment shumё i mirё qё Shqipёria dhe Greqia duhet ta shfrytёzojnё pёr tё koordinuar veprimet dhe rritur shkallёn e bashkёpunimit nё fushёn e gazit dhe tё energjisё.
Ndёrkaq, Gjiknuri vlerёsoi se ёshtё me shumё rёndёsi aktivizimi i komitetit pёr ujёrat ndёrkufitare ndёrsa insistoi se çdo diskutim duhet t’i shёrbejё rritjes sё transparencёs pёrmes shkёmbimit tё informacionit.
Mes ministrave u diskutua edhe pёr shkёmbimin e informacioneve dhe bashkёpunimin rreth kёrkimeve nё fushёn hidrokarbure nё hapёsirёn e detit Jon.
Maniatis deklaroi se e mbёshtet aktivizimin e komitetit dhe se gjithçka duhet tё shkojё nё drejtim tё rritjes sё transparencёs pёr çdo problematikё qё ndeshet.
Dy ministrat ranё dakord gjithashtu pёr ngritjen e grupeve tё pёrbashkёta nё nivel teknik pёr tё diskutuar mbi mёnyrat se si mund tё shtohen format e bashkёpunimit mes Shqipёrisё dhe Greqisё nё fushёn e energjisё nё tёrёsi, energjive tё rinovueshme dhe sektorin e gazit.
Ministrat nёnvizuan se krijimi i kёtyre grupeve ekspertёsh do tё ketё njё efekt pozitiv duke dhёnё mundёsinё e shkёmbimit tё njohurive dhe eksperiencave mes dy vendeve.S.S
Add new comment