Politikë
Athina duhet ta bëjë Tiranën të kuptojë mirë se Greqia nuk është një partner naiv
Arrestimi i Fredi Belerit, përtej çdo konsiderate juridike dhe ligjore, ka lënë gjurmë dhe shije shumë të hidhur në Athinë. Momentin e parë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis u rezervua duke deklaruar se nëse akuzat nuk provoheshin, ky do të ishte një skandal. Më pas, siç u kuptua, arrestimi i Belerit kishte shkelje proceduriale dhe kjo mjafton për të lënë shijen se arrestimi i tij ishte politik. Diktatorial e quan sot në “Kathimerini” Vassilis Nedos.
240 mijë zgjedhës më pak se në vitin 2021!?
Diskutimi për rezultatet zyrtare në zgjedhjet e 14 majit ngrihet mbi një element të pjesshëm statsistikor: pjesëmarrjen. Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka fiksuar shifrën e pjesëmarrjes në 37.79%, e nxjerrë kjo nga raportimi i 3632 Qendrave të Votimit nga 5213 që janë në total.
Paradoksi i 14 majit: E shpjegoi gjendjen e Shqipërisë me dyshen Berisha-Meta
Në një prononcim televiziv gazetari Genc Burimi ka thënë ndër të tjera se:
Shqiptarët sot e treguan me sondazhe dhe votë se sot Berisha është kryeopozitari. Ky është leksioni i parë sot. Ai është sot kryetari. E duam, se duam, i vjetër, i ri, i ashpër në gjuhë, ky është sot leksioni i pare
Një mundësi nga dritarja e këshillave për opozitarizmin post-Berisha
Raportohet se në disa Komisione të Zonës së Administrimit Zgjedhor ka nisur numërimi për votat e këshilltarëve. Ky proces hap siparin e një përballjeje të dytë: asaj mes PS-së dhe PL-së, partisë së Ilir Metës.
Ilir Meta mbajti profil të ulët në zgjedhje, u raportua se ai imponoi kandidaturën e Belind Këlliçit në Tiranë, por thuajse asnjë kandidat nuk ishte markë LSI-je në zgjedhje. Nga një pikëpamje formale, deri më tani ka humbur PD-ja dhe nominalisht Sali Berisha, ndërkohë që humbja apo pushteti i Metës do të konfirmohet në votat për këshilla.
Urime për fitoren, por buka nuk hahet me këtë soj!
Me fitoren vjen vjen edhe kolona zanore përkatëse. Në zgjedhjet e shkuara ishte Damian Gjiknuri me fjalët « tërmet tërmet » që shenjoi rezultatin në memorie. Sepse një fjalë në momentin e caktuar vjen e identifikon ngjarjen vetë. Sot duket se kjo fjalë zbret nga Dibra në Devoll, ku ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndër të tjera citohet të ketë thënë:
Nuk e mundën dot Edi Ramën
Duket se grupimi Berisha-Meta ka humbur edhe në Kamëz, edhe në Durrës, edhe në Shkodër. Të paktën deri më tani. Thënë kjo, konkluzion është se PD-ja ka humbur fortesat e veta tradicionale, që e thjeshtuar lexohet se një pjesë e votuesve të saj e kanë braktisur.
Në funksion të skemës politike në vend duket se 14 maji 2023 konfirmoi se dyshja Berisha-Meta nuk e nxjerrin dot nga pushteti Edi Ramën, përtej të gjitha skandaleve që nuk kanë sosur.
Dështoi KQZ, dështoi Politika
Procesi zgjedhor i sotshëm pati dy elementë që duhen evidentuar: dështimi në administrim dhe pjesëmarrja.
Kanë kaluar diku te 1 orë nga mbyllja zyrtare e votimit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është në gjendje të japë një shifër përfundimtare për pjesëmarrjen. Raportimi i orës 18:00, 36.39% është për diçka më shumë se 50% të Qendrave të Votimit. Problemet me pajisjen e identifikimit biometrik ishin njolla e procesit: sipas burimeve zyrtare kompania është e njëjta, por këtë vit grupet teknike në terren kanë qenë të KQZ-së. Rezultati ky që pamë.
Zgjedhjet "ngecin" teknikisht
Raportimi i deritanishëm i procesit zgjedhor sjell në vëmendje një problem kryesor: mosfunksionimin e pajisjeve të identifikimit elektronik. Nuk ka qenë një rast i izoluar, apo dy, por në përmasë të gjerë. Ironikisht i pari që e konstatoi këtë ishte kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, që para zgjedhjeve dha garanci 100% për votimin dhe numërimin elektronik, ndërkohë që tani provon në vetë të parë se nuk funksionuan as PEI.
Kush e shet ende votën me 5000 lekë?
Media të ndryshme kanë raportuar se kandidati i koalicionit opozitar për Himarën, Fredi Beleri, ka tentuar të blejë vota me shumë 40 mijë lekë. Kjo për tetë persona. Kjo hollësi ka rëndësi.
5000 lekë vota është si të thuash standardi i vjetër i blerjes së votës si lajm i pakonfirmuar zyrtarisht në Shqipëri. Prej vitesh përflitet kjo shifër. Mirëpo lajmi në vetvete duhet të shqetësojë shumë edhe shumicën.
Pse? Sepse nuk përkon niveli i mjerimit që implikon kjo shifër për korrupsion elektoral me pretendimet e qeverisë për mirëqenien.
Arrestohet Fredi Beleri
Kandidati i koalicionit, ‘"Bashkë Fitojmë" në Himarë, Fredi Beleri është arrestuar mesnatën e sē premtes.
Beleri ndodhej në restoranin e tij në Himarë kur u shoqërua ne polici, me dyshimin për blerje votash.
Kandidati i të djathtës u shoqërua nga uniformat blu të komisariatit të Himarës, për llogari të Prokurorisë së Vlorës.
Pas këtij të fundit, Beleri u transferua në Vlorē.