Bota
Një sfidë e re për Brukselin, protestat e fermerëve
Një valë e re protestash ka shpërthyer në shumë vende të Europës. Ajo që para ca kohësh shihej si shqetësimi i fermerëve francezë i ka kaluar kufijtë e Francës.
Të mërkurën, qindra fermerë protestuan para Parlamentit Europian.
“Na lini të qetë, le të punojmë në paqe!”, tha një fermer nga jugperëndimi i Francës, ndërsa veshur mbante ngjyrat e flamurit të sindikatës së dytë më të madhe franceze të fermerëve, Rural Coordination.
Zgjedhjet europiane/ Pritet kthesë e madhe djathtas në PE
Një kthesë djathtas pritet në zgjedhjet europiane të qershorit. Një studim i përgatitur nga Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë të Këshillit Evropian për zgjedhjet e Parlamentit Evropian 2024 tregon një rënie relative të partive të qendrës së majtë dhe Të Blertëve.
"Nuk i lutemi Amerikës"
Moska nuk mban asnjë përgjegjësi që marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë arritur nivelin më të ulët historik, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke këmbëngulur se barra e rivendosjes së tyre i takon vetëm Uashingtonit, i cili i prishi i pari.
Ne nuk do të vrapojmë në Uashington e t’u themi: Na falni se ishim djem të këqij. Nuk do ta bëjmë këtë.
Turqia i hap dritën jeshile anëtarësimit të Suedisë në NATO
Parlamenti turk ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke i dhënë fund negociatave 20 mujore mes Ankarasë dhe Stokholmit.
Kandidatura suedeze, e cila tani kërkon vetëm dritën jeshile të Hungarisë, u miratua me një shumicë dërrmuese.
Një referendum për daljen e Gjermanisë nga BE-ja
Në Gjermani, e djathta ekstreme ka hedhur për herë të parë idenë e largimit të vendit nga BE-ja. Liderja e Alternativës së djathtë për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, i tha Financial Times se nëse vjen në pushtet, gjermanëve do ju jepet mundësia të vendosin me referendum nëse do të rrinë apo jo në Bashkimin Europian.
Opsioni i referendumit, sipas saj, do t’u jepej gjermanëve në rast se qeveria e AfD nuk do të mund të siguronte reforma për të frenuar vendimmarrjen e Komisionit Evropian "të pazgjedhur".
Rikthehet fruthi, tridhjetëfishohen rastet në Europë
Një rikthim i virusit të fruthit e ka detyruar OBSH-në t’u kërkojë vendeve të nisin menjëherë fushata të reja imunizimi. Përgjatë 10 muajve të parë të vitit 2023, në Europë, numri i të prekurve nga fruthi është rritur tridhjetëfish në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022 (30 mijë raste në janar-tetor 2023, 914 raste në janar-tetor 2022).
Për këtë epidemi të re, OBSH bën fajtore rënien e niveleve të vaksinimit.
NATO autorizon prodhimin e predhave të artilierisë pas zbrazjes së depove për Ukrainën
Anëtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë nisur të zëvendësojnë dispozitivin e municioneve të veta të artilierisë, pasi rezervat e tyre u zbrazën për t’u dërguar si ndihmë Ukrainës. Për këtë qëllim NATO-ja ka miratuar kontrata prodhimi në vlerën 1.2 miliardë dollarësh për prodhimin e 200 000 predhave 155 mm që do të nisin të dorëzohen anëtarëve të Aleancës në fund të vitit 2025.
Është e rëndësishme që aleatët tanë të zëvendësojnë rezervat e tyre ndërkohë që ne vazhdojmë të mbështesim Ukrainën
Ndotja që vjen nga peshkimi, emetohen 370 milionë tonë CO2 në vit
Peshkimi me rrjetat që lëshohen në fund të detit emeton deri në 370 milionë tonë CO2 në vit, që shton presionin mbi ligjvënësit e BE-së për të marrë në konsideratë rregullimin e kësaj industrie.
Ambientalistët e kanë kritikuar shpesh peshkimin industrial. Duke tërhequr zvarrë rrjetat e tyre të mëdha përgjatë shtratit të detit për të kapur disa lloje peshqish, ata shpesh shkaktojnë dëme të konsiderueshme dhe afatgjata mjedisore.
Momentum i mirë për zgjerimin, por nuk do të zgjasë përgjithnjë
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për dialogun Beograd-Prishtinë, Mirosllav Lajçka, ka deklaruar se ka një momentum të mirë për zgjerimin e unionit, por duhet mbajtur parasysh se kjo nuk zgjat përgjithnjë. Në cilësinë e moderatorit të Dialogut Diplomatik të Ballkanit Perëndimor në Davos, Lajçak ka vënë në dukje aktualitetin europian që është vënë në sfidë serioze sigurie dhe strategjike.
Të ndahet anëtarësimi në BE nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga samiti rajonal i Shkupit, që procesi i anëtarësimit në BE i vendit që ai drejton, të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.