Arkiv-Lajme të përditësuara
Vjedhja në BSh, çështje e mënyrës se si menaxhohet institucioni.
Skandali për vjedhjen e rreth 713 milion lekëve nga thesari i Bankës shihet nga ekspertët si cënues për imazhin e institucionit. Ata e shohin më shumë zgjidhjen tek dorëheqja e Gurvernatorit se sa te procedimi ligjor.
Shërbimi interurban, Bashkia: Linja e shpallur konform ligjit, s'ka shkelje.
Ka reaguar bashkia e Tiranës përmes drejtores së saj të transportit Nereida Hoxha, e cila ka shpjeguar se itinerari i rrugës së re me vendim të Ministrisë së Transporteve është shpallur si linjë. Ajo ka theksuar se bashkia ka nisur procedurat për licensimin, ku fitues ka dalë kompania kundër së cilës protestuan sot punonjësit e autobusave.
Dhërmi, familjarët: Denisi, djalë i vetëm, punonte për familjen.
Ngjarja e rëndë për vrasjen e kamerierit 28 vjeçar Denis Vyshka ditën e djeshme në lokalin ‘Shija e Detit’ nga dy pronarët dhe kuzhinieri ka sjellë edhe reagimin e familjarëve.
Kushëriri tij shprehet se familja nuk ka shumë të dhëna lidhur me ngjarjen ndërsa shton se ai ishte djali i vetëm i familjes. Në fjalën e tij, kushëriri thekson se Denisi nuk ishte djalë konfliktual, prandaj ngjarja siç shprehet ai ka shokuar të gjithë të afërmit.
Shqipëria gati dosjen e ekstradimit të Dritan Rexhepit nga Ekuadori.
Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit është duke përgatitur dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit, i arrestuar në Ekuador. Pasi është marrë konfirmimi për arrestimin e tij, ka nisur puna që dosja me akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe dënimet që ka marrë të bëhen bashkë në një dosje që do të dërgohet drejt vendit të Amerikës Latine. Në fakt në garë për ekstradimin e tij janë edhe shtete të tjera të Europës si, Italia, Spanja apo Britania e Madhe, vende në të cilat akuzohet për vepra të rënda penale.
Lezhë, humb jetën në punë elektricisti, arrestohet kolegu i tij.
Hajri Jakupaj, 55 vjeç, ka humbur jetën gjatë ditës së djeshme nga një shkarkesë elektrike pasi po orvatej të riparonte një defekt në nën stacionin elektrik të Lezhës. Fajtor i kësaj tragjedie në punë është kolegu i tij Ndue Pepaj, 51 vjeç.
Sipas policisë viktima i kishte kërkuar kolegut të tijë në nën stacion, Pepajt, të stakonte energjinë gjatë kohës që do ndërhynte në sistem, gjë që ky i fundit nuk kishte bërë.
Ndue Pepaj akuzohet tashmë për shpërdorim detyre dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Tiranë, grabitet gruaja në urbanin e unazës, në kërkim autori.
Një shumë e konsiderueshme parash i është vjedhur ditën e sotmë një gruaje në autobuzin e unazës, tek ndodhej në rrugën “Asim Vokshi”. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se ajo po udhëtonte me urbanin e unazës kur ka rënë pre e vjedhjes.
Menjëherë ajo ka njoftuar policinë për ngjarjen ndërsa efektivët blu kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.
Ky nuk është rasti i parë, që qytetarët bien pre e vjedhjeve nëpër urbanët e transportit publik në kryeqytet.
Fier, arrestohet 50-vjeçari i dënuar për trafik femrash.
Policia e Fierit ka arrestuar një 50-vjeçar i cili shte shpallur në kërkim nga ana e bluve.
I arrestuari Fidai Muhaj, me banim në Patos është dënuar nga Gjykata Elbasan me 10 vjet burg për trafik femrash për prostitucion.
Arrestimi i tij është bërë pasi i kanë mbetur pa kryer edhe 2 vite burg nga dënimi i Gjykatës së Elbasanit për trafik femrash për prostitucion.
Jug, pronari vret kamarierin në plazhin VIP, dhunë pastrueses.
Një kamerier i ri, i cili punonte në një hotel në plazhin e Dhërmiut është gjetur nga pushuesit i pajetë dhe i dhunuar në bregdet, ndërsa një punonjëse e këtij hoteli akuzon pronarin A.Ymeraj si autor të vrasjes.
28-vjecari me inicialet D.V nga Elbasani kishte vetëm 10 ditë që kishte nisur punë si kamarier në hotelin “Shija e Detit” në plazhin e Dhërmiut, një zonë mjaft e frekuentuar nga pushuesit. Ai dyshohet se është dhunuar për vdekje me mjete të forta nga pronari, për një borxh të pashlyer prej 500 mijë lekësh të reja.
Durrës,ndërron jetë një 16-vjeçar në plazh,dyshohet se ka pësuar infarkt.
Një 16-vjeçar ka humbur jetën mesditën e sotme teksa ishte duke u larë në det pranë Shkëmbit të Kavajës.
16-vjeçari mendohet se ka humbur jetën pasi dyshohet se ka pësuar atak kardiak.
Nga policia e Durrësit bëhet e ditur se adoleshenti që ka humbur jetën është 16-vjeçari me inicialet A.K, banues në fshatin Shkallnur.
Trupi i 16-vjeçarit do i nënshtrohet edhe ekspertizës së plotë për të zbuluar edhe shkaqet e vërteta të vdekjes.
'Semafori', Bashkia: Policia po keqpërdoret, s'ka tagër të ndërhyjë.
Edhe Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me vendimin e policisë së Tiranës për të ndrëprerë sërish punimet për vendosjen e semaforit në rrugën “Asim Vokshi”, duke e cilësuar atë si një injorancë juridike.
Sipas Bashkisë, policia po keqpërdoret politikisht pasi nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në punët dhe projektet e Bashkisë. Në komunikatën për shtyp, theksohet se policia ka të drejtë të ruajë rendin dhe jo të vendosë se ku duhet të bëhen ndërhyrje në rrugë.