Virgjil Kule rrëfen përgatitjet e kronikës së rrëzimit të bustit në TVSH më 20 shkurt 1991

Në numrin e djeshëm të gazetës ‘Sot’ ish një intervistë marrë Virgjil Kules. Intervista vërtitej rreth 20 shkurtit, dhe Kule jepte një dëshmi interesante mbi 20 shkurtin e vitit 1991, kur ai vetë ishte në TVSH. Kule rrëfen: “Kishte kaluar ora pesë pasdite dhe po afrohej orari i lajmeve të para, të orës 18. Për ta lexuar kronikën me zë jashtë kamerës, caktova Alfons Gurashin. Ai më tha se vetëm se do të përshkruante figurën, pa bërë ndonjë koment. "Dakord" i thashë, "bëje si të mundesh”. Rëndësi ka që të pasqyrohet realiteti i plotë". Në këto e sipër, më njoftojnë nga sekretaria se më kërkonin në telefon "nga lart". Shkova në zyrë. Pas meje, erdhën të gjithë ata që ndodheshin në montazh, Tomorr Topore, Amalia Dhamo, Bujar Kore, Fatmir Çepani, Alfons Gurashi, Gazmir Shtino, Fiqiri Sejdia, Timo Luto...(të më fali ndokush, që nuk po e kujtoj në këto çaste). Në telefon ishte vetë Ramiz Alia. Biseda më të qe e shkurtër, por shumë e tensionuar. Fillimisht, u interesua të dinte nëse vërtet e kishim kroniken të plotë. Pasi u sqarua për këtë, më "këshilloi" me ton të prerë që kronika të mos transmetohej, duke nxjerrë si arsyetim faktin se së shpejti, ndoshta që atë natë, monumenti do të rivendosej. Ndaj, sipas tij, ngjarja e dytë do anulonte të parën. Tek më thoshte këto fjalë, u kujtova për thashethemet që qarkullonin nëpër korridore se monumenti do të rivihej përsëri. Tani po e dëgjoja nga vetë Ramiz Alia. Duhet thënë këtu se në ato momente, nuk kisha informacion për prapaskenat politike, që zhvilloheshin nën rrogoz. Ramiz Alisë iu përgjigja me takt, duke i thënë se faktin e ditës nuk mund ta mbanim fshehur, aq më tepër që publikisht flitej për transparencë dhe objektivitet nga ana e televizionit. Nuk e zgjati, por mbylli telefonin, teksa shtoi nja dy fjali të shpejta, gati si nëpër dhëmbë.”
Ajo kronikë, siç dihet tanimë, u ritransmetua atë ditë. Për të krijuar një ide më të plotë të asaj dite në TVSH, ndiqeni të gjithë intervistën në linkun http://www.sot.com.al/politike-intervista/virgjil-kule-bised...
Re.Pu.
Add new comment