Vijon jehona e 55 pyetjeve të Islamit; dhe në debat janë përfshirë Matoshi, Maliqi, e të tjerë

Postuar në 15 Mars, 2014 06:19

Në një shkrim të publikuar me titull ‘Qosja vs Islami: Ndërgjegjshmëritë e sëmura të akademikëve’, të publikuar në Koha Ditore para një jave, Halil Matoshi qorton qëndrimet e akademikëve Rexhep Qosja e Hivzi Islami; të parin “për pandehmat me duhmë të rëndë, spekulimet dhe të pavërtetat … kundër të gjithëve (ai nuk rreket me idetë, por me njerëzit që i përfaqësojnë ato), dhe kundër gjithçkaje që buron nga mendja e këtij hinterlandi”, dhe të dytin për “sëkëlldinë” që i ka dhënë me 55 pyetjet publike drejtuar Qosjes. “[Këto 55 pyetje, teksa i lexon] të bëjnë të pështysh në këtë tokë Kosove, të nëmur, e t’bërë lëmë thiu”, shkruan ai me nerv.

Gjatë shkrimit (të cilin mund ta ndiqni të plotë në linkun http://www.kohaditore.com/?id=31&o=22) ai i ka quajtur të dy, edhe Qosjen, edhe Islamin, kosovarë të natyralizuar (Qosja ka lindur në Vuthaj të Malit të Zi, ndërsa Islami është nga katundi Letovicë i rrethit të Bujanocit), dhe pas kësaj ka pasur një numër reagimesh. Matoshi u është përgjigjur këtyre reagimeve me një shkrim tjetër me titull “Të kërkosh falje publike”, të publikuar si gjithnjë në Kohën Ditore (shkrimin mund ta lexoni në linkun http://www.kohaditore.com/?id=31&o=40). Siç lihet të kuptohet nga titulli, Matoshi kërkon ndjesë për keqkuptimin që ka shkaktuar me tezën e “kosovarit të natyralizuar”, por dhe gjen rast për të polemizuar me të gjithë ata që janë kapur pas këtij termi, e nuk janë fokusuar tek thelbi i shkrimit. Kush janë ata? Matoshi nuk u jep emrat. U jep vetëm inicialet, por kuptohet që më së shumti e ka me SH.M.-në, të cilin e identifikon si ‘këshilltari personal i kryeministrit të Shqipërisë’. Merret vesh se fjala është për Shkëlzen Maliqin, i cili, sipas Matoshit, “dezinformon në facebook, duke e defiguruar shkrimin tim, duke e ekzagjeruar padrejtësisht madje deri në përmasat dramatike përmes konstrukteve të tij ashiqare të rreme”. Më shumë mund të merret vesh pasi të keni lexuar shkrimin e tij të gjatë në linkun që ju dhamë.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.