Verifikohen eshtrat e Isa Boletinit, në qershor do kryhet një rivarrim ceremonial i heroit

Pas analizave gjenetike-molekulare në Strasburg, eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini dhe të birit, të dërguara këtu për verifikim, kanë rezultuar si të vërteta. Isa Boletini u vra së bashku me tetë të tjerë më 1916 në Podgoricë, ku mbahej i internuar. Në atë kohë austro-hungarezët e varrosën në varrezat e myslimanëve dhe mbi varr i vendosën një gur me emrin Isa Boletinac. Tashmë eshtrat në fjalë i janë dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, njofton TCH. Drejtori i Insitutit, Arsim Gërxhaliu, thotë se për shkak të vjetërsisë së eshtrave do të duhen analiza të mëtejshme sepse deri tani nuk është arritur të nxirret profili gjenetik në mënyrë sa më të sigurtë. Por pasi të kryhen analizat e plota, pasardhësit e heroit kanë nisur përgatitjet për një varrim madhështor të eshtrave. Sipas stërnipit të Isës, rivarrimi do të bëhet më 30 qershor, datë kjo e shënuar, pasi për herë të parë në vitin 1912 Isa Boletini kishte ngritur flamurin në Veskovcë të Shalës së Bajgorës në veri të Mitrovicës, nga ku dhe kishte origjinën.
a.k
Add new comment