Vdes në një aksident rrugor aktori Giuliano Gemma

Kinemaja italiane humbi një prej protagonistëve të saj. Në një aksident rrugor pranë Romës, vdiq Giulianno Gemma, 75 vjeç, një prej artistëve më të dashur dhe të vlerësuar nga publiku dhe kritika.
Aktori u bë i njohur shumë i ri, në vitin 1961 me filmin “Arriten titanët” në rolin e paharruar të Kriosit.
Falë talentit, portretit shumë interesant dhe fizikut prej boksjeri, ai la luajtur dhjetëra filma 'western' duke u bërë i njohur edhe jashtë Italisë. Për të janë shkruar libra edhe në në Japoni, Gjermani e Spanjë.
Mbetet i paharruar interpretimi në rolin e Ringos, por përkrah filmave të këtij lloji Gemma ka interpretuar në filmat e regjizorëve më të mëdhenj italianë nga Luchino Visconti tek Mario Monicelli apo Luigi Comencini. Ai kalon me mjeshtëri nga drama tek aventura, nga filmat komikë tek ata të denoncimit të plagëve sociale. Përveç kinemasë Giuliano Gemma ka kultivuar edhe pasionin për skulpturën dhe kishte hapur disa ekspozita. Shpesh thoshte që kishte pasur fat në botën e kinematografisë dhe se entuziazmi për jetën e mbante të ri në shpirt. Largohet kështu papritur nga skena aktori që kishte një shikim të butë e prej zotërie, edhe kur ishte me revole në dorë.
Add new comment