A u mbajtën të gjitha premtimet e 100 ditëve? "Mjaft" thotë "JO" dhe i analizon ato

Postuar në 23 Shkurt, 2014 04:57

Qeveria shqiptare rezulton që në 100 ditët e para ka realizuar 7 nga 17 premtimet e bëra gjatë fushës elektorale nga Partia Socialiste. Lëvizja “Mjaft” ka dalë në konkluzionin se 7 premtime janë realizuar, 7  nuk janë realizuar, 2 janë premtime të realizuar pjesërisht dhe 1 premtim është i pamatshëm.

 

Konkluzionet e raportit:

 

1.Ndalimi i importit të plehrave

Ndalimi i importit të plehrave në Shqipëri është përmendur në një numër të madh deklaratash dhe fjalimesh paraelektorale.

Më 15 shtator 2013, mbledhja e parë e qeverisë së re, u mor vendimi për ndalimin e importit të mbetjeve përmes ndryshimeve në ligjin  nr. 10 463, datë 22.9.2011, "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve". Me ndryshimet e reja, kompanive që sakaq kanë importuar mbetje, u jepet gjashtë muaj kohë të përfundojnë procesin e mbetjeve sakaq të importuara.

Ky premtim konsiderohet i realizuar.

 

2.Vendosja nën kontrollin e parlamentit të Institutit të Statistikave

Gjatë periudhës 100 ditore nuk është ndryshuar ligji përkatës për sistemin e statistikave në vend dhe Instituti i Statistikave mbetet nën varësinë e Kryeministrit.

Premtimi vlerësohet i parealizuar.

 

3.Heqja e taksës për biznesin e vogël

Premtimi në fjalë u trajtua me paketën e ndryshimeve të ligjeve fiskale. “Këto dy tatime, të cilat biznesi i vogël i paguan një tek njësitë e qeverisjes vendore dhe një tek administrata tatimore qendrore, zëvendësohen me një tatim të vetëm – tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe norma tatimore është 7.5%, ndërsa për subjektet me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit, propozohet një taksë fikse prej 25,000 lekë në vit”, thuhet në relacionin e Ministrisë së Financave të dërguar në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e ndryshimit të ligjit në fjalë .

Duke qenë se premtimi qe i prerë “do të heqim taksën e biznesit të vogël” ndërsa ligji i ri Nr. 181/2013  nuk e heq.

Ky premtim konsiderohet i parealizuar

 

4.Do të përgjysmohet tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël

Premtimi për përgjysmimin e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël nuk bazohej në ndonjë ndryshim fiskal. Në lidhje me premtimin nr. 4, mund të thuhet se për shkak se biznesi i vogël nuk ka paguar më parë tatim mbi fitimin, qeveria nuk mundet që ta përgjysmojë këtë tatim. Premtimi në tërësi klasifikohet si i pamatshëm.

 

5. Ulje taksash mesatarisht 40 mijë lekë në vit për këdo që fiton më pak se 150 mijë lekë në muaj

Taksimi progresiv i të ardhurave qe një pikë tjetër e shumëdebatuar para dhe pas fushatës zgjedhore. Formula e re e tatimit mbi fitimin ruan normën zero për të ardhurat nga paga deri në 30 mijë lekë, taton me 13 për qind diferencën nga 30 mijë deri në 130 mijë lekë dhe me 23 për qind pjesën sipër të ardhurave prej 130 mijë lekësh. Të ardhurat nga honorare, qiratë e dividentët do të vijojnë të tatohen me 10 për qind.

Formula e mëparshme e tatimit qe 0 për të ardhurat nga paga deri në 30 mijë lekë dhe 10 për qind për të ardhurat mbi 30 mijë lekë, ku dallimi i madh qe që mjaftonte që paga të kalonte 1 lek mbi 30 mijë lekëshin për t’u tatuar me 10 për qind në krahasim me pagën që mund të qe 1 lek nën 30 mijë lekëshin për t’u përjashtuar.

Sistemi i ri jep një ulje të tatimit efektiv për pagat nga 30 deri në 130 mijë lekë dhe rritje të tatimit efektiv për pagat nga 130 mijë e më shumë.  Tabela 1 paraqet ndryshimet.

Përfitimi maksimal nga ndryshimet fiskale është për rreth 120 mijë të punësuar me pagë 30 deri në 60 mijë lekë në muaj. Për pagat 40 mijë lekë, përfitimi vjetor rezulton 32,400 lekë ndërsa për pagat më të larta, përfitimi vjen në reduktim. Në total, 56 për qind e të gjithë të punësuarve që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale ose 241 mijë punonjës, kanë paga të deklaruara prej më pak se 30 mijë lekë dhe nuk preken nga ndryshimi për shkak se tatimi për ta qe zero dhe mbeti zero. Rreth 41 për qind e të punësuarve janë përfitues nga skema e re ndërsa 3 për qind janë humbës.

Premtimi për “ulje taksash mesatarisht prej 40 mijë lekësh në vit për këdo që fiton deri në 150 mijë lekë në muaj” rezulton në këtë mënyrë i realizuar pjesshëm, dhe për një numër të vogël të punësuarish.

 

6.Ulja me 6 për qind taksën e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë

Premtimi  nuk sqaron se për çfarë takse bëhet fjalë, por kjo fjali mund të interpretohet se bëhet fjalë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e cila paguhet nga konsumatori për produktin energji elektrike masën 20 për qind si për çdo mall tjetër. Gjatë periudhës 100 ditëshe të qeverisjes si dhe në paketën fiskale të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, nuk rezulton të ketë patur ndonjë klauzolë për të ulur ndonjë taksë specifike apo tatimin mbi vlerën e shtuar për energjinë elektrike.

Për këtë arsye, premtimi konsiderohet i parealizuar.

 

7.Rikthimi i përfitimeve ligjore për njerëzit me aftësi të kufizuara. Gjatë 100 ditëve të para, qeveria e re nuk ka ndërmarrë ndryshime ligjor në lidhje me këtë pjesë të shoqërisë.

Rrjedhimisht ky premtim rezulton i parealizuar.

 

8. Çdo mësuese do të fitojë një rrogë më shumë nga skema e re e tatimit mbi të ardhurat

Mësuesit janë mes të punësuarve me paga 30-50 mijë lekë në muaj dhe fasha me përfitim më të lartë nga formula e re e tatimit progresiv mbi të ardhurat. Përfitimi vjetor për këto shtresa është afërsisht sa një pagë mujore.

Rrjedhimisht ky premtimi konsiderohet i realizuar.

 

9. Do të flasim për rritjen e taksës 10 për qind mbi sipërmarrjen vetëm pas 100 ditëve të para, do ta vendosim në një nivel që do të dakordëzojmë bashkarisht

Kryeministri Edi Rama komentoi mbi tatimin mbi sipërmarrjen në 10 prill 2013. Ai premtoi se një diskutim mbi rritjen apo jo të këtij tatimi (nënkuptohet tatimi mbi fitimin), do të kryhet pas 100 ditëve të para të qeverisjes dhe se kjo do të bëhej përmes diskutimeve dhe “rënies dakord” me përfaqësuesit e sipërmarrjes. Gjatë diskutimeve mbi ndryshimet në paketën fiskale, në dhjetor, shumë shoqata biznesi u ankuan për mungesën e komunikimit nga ana e qeverisë në lidhje me ndryshimin e tatimit mbi fitimin. Rama iu përgjigj më 21 dhjetor 2013: Nuk kemi thënë që taksën e biznesit të madh do e vendosë vetë biznesi. Taksat për biznesin e madh do i vendosë qeveria e zgjedhur nga 1 milionë vota dhe jo biznesi i madh . Kjo deklaratë bie ndesh me atë që Rama tha më 10 prill.

Për këtë arsye, premtimi për të dakordëzuar nivelin e tatimit mbi fitimin me sipërmarrjen, konsiderohet i parealizuar.

 

10.Anulimi i koncesionit elektoral në Portin e Durrësit

Disa ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, qeveria e Shqipërisë ofroi për kontratë koncesionare një pjesë të Portit të Durrësit . Fituesi u shpall më 19 gusht ndërsa më 25 gusht, deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj deklaroi në emër të kësaj partie se ky privatizim është elektoral dhe se do të zhbëhet menjëherë në një nga mbledhjet e para të qeverisë. Gjatë mbledhjeve të para të qeverisë, një gjë e tillë nuk është bërë.

Premtimi konsiderohet i parealizuar.

 

11. Do të fillojmë procesin e transparencës për koncesionet dhe privatizimet.   

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, përfaqësues politik të Partisë Socialiste si dhe kryetari i Partisë Socialiste z. Edi Rama kanë deklaruar se në 100 ditët e para të qeverisë së re, do të filloj procesi i vlerësimit dhe analizimit të të gjitha koncesioneve që janë dhënë nga Partia Demokratike, me qëllim bërjen transparente të kontratave koncesionare  që dyshohen se janë lidhur në kundërshtim me ligjet në fuqi. 

Në muajin tetor 2013, Ministri i Industrisë dhe Energjitikës Damian Gjiknuri miratoi ngritjen e grupit të punës me ekspertë që do të kontrollojnë të gjitha praktikat koncesionare të lejeve minerare në zonën e Bulqizës. Grupi i ekspertëve do të analizojë realizimin e programit të koncesionit, gjithashtu do të kontrollohet edhe plotësimi i kushteve të sigurisë dhe të shëndetit në punë të punonjësve të punësuar. Kontrolli përfshin gjithashtu edhe evidentimin e aktiviteteve të pa licencuara që ushtrojnë veprimtari në zonën e Bulqizës. 

Veprime të tjera janë kryer po në kuadër të verifikimit të marrëveshjeve koncesionare dhe respektimit të kushteve të kontratës për kompani ku Shteti është aksioner.

Të njëjtën iniciativë ka ndërmarrë edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pas disa ankesave të grupeve të interesit ne lidhje me procedurat jo ligjore që janë aplikuar, për dhënien e koncesioneve për kompani te ndryshme, duke shkelur parimet e konkurrencës së lirë.

Ky premtim konsiderohet i realizuar.

 

12. Heqja e taksës 10 % për ilaçet

Heqja e taksës 10 % për ilaçet ishte një nga premtimet elektorale të Partisë Socialiste gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Përfaqësues të Partisë Socialiste kanë pohuar se heqja e kësaj taksë do të lehtësojë qytetarët me afro 10 milionë dollarë në vit.

Në ndryshimet e propozuara në paketën fiskale të miratuar në muajin Dhjetor 2013 u parashikua heqja e taksës 10% për ilaçet dhe u vendos që kjo taksë të bëhet e zbatueshme në muajin Prill 2014. Megjithëse kjo taksë është hequr mbetet për t'u parë nëse ky lehtësim do të shkojë tek konsumatorët fundor apo do të mbahet si fitim i padrejtë nga tregtarët.

Ky premtim konsiderohet i realizuar.

 

13. Auditim ndërkombëtar i financave të vendit

Auditim i financave të vendit ishte një tjetër premtim elektoral i Partisë Socialiste, me qëllim skanimin e gjendjes financiare të shtetit për të patur një pasqyrë reale të ekonomisë dhe të raporteve të shtetit me paranë publike dhe me atë private.

Sa i përket këtij premtimi, në muajin tetor u përzgjodh Agjencia e Auditit, ku u vendos kompania ndërkombëtare Deloitte&Touche. Sipas marrëveshjes se nënshkruar me këtë kompani, ajo do të dorëzojë raportin final të auditimit dhe shifrën reale të borxhit publik brenda datës 30 nëntor 2013. Në raportin e pare te publikuar ne muajin nëntor 2013, kompania “Deloitte&Touche”, konkludoi se borxhi që qeveria i ka sipërmarrjes private në vend kap shifrën e 25 miliardë lekëve, e dhënë kjo vetëm për 80% të kontratave te audituara. 

Rrjedhimisht ky premtim konsiderohet i realizuar.

 

14. Mbyllja e të gjitha aktiviteteve të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Gjate fushatës elektorale Maj-Qershor 2013, nga Partia Socialiste u premtua se do te mbyllen te gjithë operatoret e lojërave të fatit të cilat kryejnë aktivitet të paligjshëm. Në aksionin e Policisë së Shtetit të quajtur “Fundi i Marrëzisë”  e koordinuar me organet tatimore ne vend u kontrolluan ne rang vendi 1553 subjekte dhe u sekuestruan gjithsej 3424 pajisje.

Ky premtim konsiderohet i realizuar.

 

15. Paketa për lehtësimin dhe zhvillimin e fermerëve me qëllim uljen e kostos së prodhimit.

Lehtësimi i fermerëve nga barra fiskale me qëllim uljen e kostos së prodhimit për produktet bujqësore me qëllim uljen e kostots së prodhimit, ka qenë një nga premtimet e qeverisë së re në kuadër të planit për 100 ditët e para të qeverisjes.

Mjeti me të cilën kryhet kjo ndërhyrje ligjore është paketa fiskale e miratuar në muajin Dhjetor 2014. Në ndryshimet e bëra në paketën e re fiskale nuk u parashikua asnjë masë lehtësuese për fermerët dhe produktet e tyre bujqësore.

Rrjedhimisht ky premtim konsiderohet i parealizuar

 

16. Verifikimi i objekteve pa leje ndërtimi dhe nisja e procesit për prishjen e tyre

Një tjetër premtim i rëndësishëm i Partisë Socialiste ka qenë nisja e procesit të verifikimit dhe prishjes së objekteve të ndërtuara pa leje në të gjithë teritorin e Republikës se Shqipërisë. Ne muajin gusht 2013, përfaqësues të Partisë Socialiste deklaruan se, gjate muajit Shtator do te nise operacioni për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.  

Procesi i nisur në muajin shtator 2013 dhe vazhdon të jetë në progres, duke evidentuar dhe prishur rreth 160 objekte (godina/lokale) pa leje, ndërkohe që regjistrohen dhe 600 objekte të tjera si, furra gëlqerore dhe struktura mbajtëse reklamuese.  Sa i përket nisjes së procesit të verifikimit dhe prishjes së ndërtimeve pa laje, ky premtim konsiderohet i realizuar,  ndërkohë që mbetet ende për tu parë nëse ky proces do të shtrihet në të gjithë teritorin e Republikës së Shqipërisë.

 

17. Angazhimi që brenda 100 ditësh të çlirohen territoret spitalore nga ndërtimet pa leje

Çlirimi i ambienteve spitalore nga ndërtimet pa leje ka qenë një tjetër premtim i qeverisë në kuadër të prioriteteve për 100 ditët e para të qeverisjes. E përmendur edhe gjatë fushatës elektorale, por edhe në seancën plenare të datës 14.09.2013 gjatë diskutimeve për Programin e Qeverisë, ky premtim ka qenë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë e drejtuar nga z. Ilir Beqja.

Për rrjedhim, gjatë periudhës 5.10.2013 deri me 20.10.2013 janë prishur rreth 16 objekte të kundërligjshme në teritorin e QSU-t në Tiranë, duke liruar të gjitha hapësirat e zëna në këtë teritor.

Procesi i evidentimit dhe prishjes së objekteve pa leje brenda teritoreve të Qendrave Spitalore në të gjithë vendin është ende në progres, kësisoj ky premtim konsiderohet pjesërisht i realizuar.

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.