Tregtia me Greqinë nën ndikimin e krizës, bie ndjeshëm pesha që ky vend zinte në ekonominë shqiptare

Një ndër partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë ka qenë Greqia. Megjithatë, pesha që ky vend zinte në ekonominë shqiptare ka rënë ndjeshëm, kryesisht prej vështirësive ekonomike dhe krizës. "Tv Scan" raporton se megjithatë, shkëmbimet tregtare në katër muajt e parë të këtij viti kanë njohur një rritje relativisht të lehtë. Sipas të dhënave mbi ecurinë e tregtisë së jashtme të publikuar nga Instituti i Statistikave, vihet re një rënie e konsiderueshme e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve, duke filluar nga viti 2009. Rënia më e madhe e këtyre shkëmbimeve në përqindje, si për sa i përket mallrave të importuara, ashtu dhe atyre të eksportuara, shënohet në vitin 2013. Në këtë periudhë, eksportet shqiptare drejt vendit fqinj zinin 3.2% të volumit total, ndërsa importet 8.8%. Kriza e tejzgjatur në Greqi dhe pasiguria që mbizotëron në tregje ka bërë që, treguesit tregtarë të jenë në vlera të ulëta, por pozitive në dy vitet e fundit. Duke iu referuar sërish të dhënave të INSTAT për 4mujorin e parë të vitit 2015, shkëmbimet tregtare me Greqinë kanë zënë 7.9% të totalit, duke u rikthyer sërish si një nga vendet kryesore përsa i përket marrëdhënieve tregtare. Vlera e importeve gjatë kësaj periudhe nga ky vend ka qenë në rreth 15.5% e totalit, ndërsa eksportet në 5.6%.
Add new comment